Nëna merr djalin që braktisi, familja nuk pranon nipin

Bunkeri ku u gjet foshnja e braktisur
Nëna që braktisi djalin e saj nëntë ditësh në një bunker është rikthyer për të marrë foshnjën në Spitalin e Pogradecit.Por, familja, konkretisht vëllai i saj, nuk ia ka pranuar në banesë fëmijën që kishte ardhur në jetë nga një lidhje jashtëmartesore. Nëna 32-vjeçare është detyruar të kërkojë ndihmën e një çifti amerikan që jeton në këtë qytet, të cilët do ta mbajnë foshnjën deri në një kohë të pacaktuar. E vënë nën procedim penal për braktisje të foshnjës së saj të sapolindur, 32-vjeçarja V. Gekollari, nga fshati Vërdovë i Pogradecit, është lehtësuar përkohësisht nga hetimet, sepse i është dhënë mundësia të gjejë një strehë për djalin e saj, tashmë me emrin Emiljano. Nëna e re, e cila la djalin e saj në një bunker me qëllim braktisjeje, është identifikuar menjëherë dhe, pas një kërkimi të shpejtë të Policisë së Pogradecit, është akuzuar për “braktisje të foshnjës së sapolindur”. Pas hetimeve të kryera, 32- vjeçarja u detyrua të rikthehet tek fëmija. Ajo është paraqitur dje në Maternitetin e qytetit të Pogradecit, ku 9 ditë më parë kishte sjellë në jetë fëmijën e saj dhe është kujdesur për ta kthyer të birin në shtëpinë e prindërve të saj, në Vërdovë. Punonjës socialë të Bashkisë së Pogradecit i kanë ardhur në ndihmë nënës 32-vjeçare, duke e shoqëruar atë për në banesën e prindërve. Por, ka qenë vëllai i saj ai që nuk e ka pranuar në shtëpi “nipin” e tij të ardhur në jetë nga lidhja jashtëmartesore e së motrës. E ndodhur në një situatë të tillë familjare dhe e pamundur për të jetuar e pavarur nga familja, për shkak të mundësive financiare, ajo është detyruar t’ia lerë fëmijën çiftit të bashkëshortëve amerikanë, të cilët jetojnë në Pogradec.
“Ndodhesha në gjendje të vështirë ekonomike dhe për këtë shkak vendosa në një moment të lë fëmijën në bunker. Nuk doja që babai im që jeton në Greqi të mësonte se unë kisha lindur një fëmijë jashtë martese. Tashmë as vëllai nuk ma pranon fëmijën, ndaj u detyrova t’ia lë një çifti tjetër të kujdesen për të, u shpreh 32-vjeçarja. Ndërkaq, punonjësja e gjelbërimit në Pogradec, u shpreh se kishte lajmëruar policinë, në momentin kur kishte vënë re gruan që ishte futur me foshnjën në bunker dhe më pas kishte dalë e vetme që andej.
POGRADEC/ GEZIM ASHIMI