Jason Steinbaum: Kosova ka te drejtë te jete e zhgënjyer

Ish-këshilltari i lartë i ish-ligjvënësit të njohur Eliot Engel, thotë se presioni ndaj Kosovës për ngritjen e Dhomave të Specializuara ishte pjesë e konsideratave më të gjera gjeopolitike të asaj kohe.
Eksperti i çështjeve të Ballkanit dhe profesor në Universitetin Amerikan në Uashington, Jason Steinbaum thotë se gjykata e posaçme që shpalli dënimet për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, ishte ngritur në mënyrë të gabuar dhe kishte mandat të gabuar.
Ai shprehu qëndrimin se për këtë arsye asaj i mungon legjitimiteti dhe se njerëzit në Kosovë kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer.
Zoti Steinbaum thotë se fakti që gjykata ndoqi penalisht vetëm shqiptarë dhe jo serbë, ngre pikëpyetje serioze. Analisti Steinbaum i cili për 30 vjet ishte këshilltar i lartë i ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, thotë se do të donte të shihte që Kuvendi i Kosovës të bëjë një shqyrtim të të gjithë aspekteve të Dhomave të Specializuara.
Në një nga momentet kur Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës me këmbëngulje që të ngrinte gjykatën, zoti Steinbaum ishte duke vizituar Prishtinën me ligjvënësin Engel.
Ai shpjegon në intervistë kontekstin gjeopolitik të asaj kohe. Ish-Presidenti Barack Obama po përpiqej të siguronte mbështetjen e Rusisë dhe Evropës për një marrëveshje me Iranin. Zoti Steinbaum mendon se nxitja ndaj Kosovës për të krijuar gjykatën, ishte pikërisht në kuadrin e këtyre konsideratave diplomatike.
Jason Steinbaum: Mendimi im ishte se gjykata ishte ngritur në mënyrë të gabuar, në bazë të një ligji të gabuar dhe me një mandat të gabuar. Ajo lindi si pasojë e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty. Aty duhej të ishte fokusi kryesor i gjykatës. Por më pas, vëmendja u zhvendos tek çështje të tjera. Pra, që në fillim, procesi nuk u përqendrua tek ajo që u ishte thënë të gjithëve se duhej të bëhej.
Kjo gjykatë i mori përsipër këto çështje bazuar tek një teori ligjore e dobët, sipas së cilës një forcë shumë e paorganizuar kontrollonte veprimet e njerëzve të saj në terren. Dëshmitarët, përfshirë gjeneralin (Wesley) Clark dhe disa figura të tjera me peshë nga Shtetet e Bashkuara, thanë se bëhej fjalë për një lëvizje rebele (UÇK) pa shumë kontroll nga qendra. Kështu që, mbajtja e tyre (kryeministrit Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë) përgjegjës ngre një sërë pyetjesh shumë serioze.