E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Jaupaj: Menaxhimi i mbetjeve sipas standardeve të BE

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi sot projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”.

Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj gjatë prezantimit të projektligjit tha se, “kjo nismë ligjore vjen në përputhje me direktivat e BE-së dhe synon menaxhimin e integruar të mbetjeve, me qëllim mbrojtjen e mjedisit, shëndetin e njeriut, dhe kalimin drejt ekonomisë qarkulluese”.

Në fjalën e tij Jaupaj u shpreh se në kuadër të hapjes së negociatave dhe të takimit dypalësh screening për Kapitullin 27, “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”, përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit janë ndër parimet themelore që duhen transpozuar në kontekstin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, për faktin se zbatimi i sistemit të përgjegjësive të zgjeruara të subjekteve prodhuese për produktet që gjenerojnë mbetje (PZP) ndikon në nxitjen e ndarjes së diferencuar të mbetjeve në burim dhe riciklimin e tyre për rrymat e mbetjeve, për të cilat zbatohet, duke ndikuar në një masë të konsiderueshme në uljen e sasisë së mbetjeve që depozitohen në pikën fundore të menaxhimit të mbetjeve.

“Një ndër parimet kryesore të menaxhimit të mbetjeve është përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit, çka do të thotë që çdo person fizik ose juridik që zhvillon, prodhon, përpunon, trajton, shet ose importon mbi baza profesionale, produkte që gjenerojnë mbetje pas përdorimit, të mbajë përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit në funksion të rritjes së ripërdorimit, parandalimit, riciklimit dhe rikuperimeve të këtyre produkteve”, tha Jaupaj.

Ai shpjegoi që ndër detyrimet kryesore të prodhuesit janë të financojnë dhe të krijojnë një sistem për grumbullimin, transportimin, riciklimin ose një mënyrë tjetër të trajtimit të mbetjeve të krijuara nga produktet e tyre që ata vendosin në treg në Shqipëri dhe të përmbushin objektivat (targets) për mbledhjen, riciklimin dhe trajtimin e tyre, siç përcaktohet nga legjislacioni i Bashkimit Evropian dhe/ose ai kombëtar.

Sipas tij, fusha e zbatimit të ligjit janë të gjitha subjektet prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje, që zhvillojnë në Republikën e Shqipërisë aktivitete ekonomike, të cilat lidhen me qëllimin e ligjit, nën sistemin e PZP-së dhe hedhin në treg produkte, konsumimi i të cilave krijon mbetje, në përputhje me legjislacionin në fuqi për rrymat specifike të mbetjeve.

Relatori i çështjes Laert Duraj në fjalën e tij vuri në dukje se ky projektligj ka në fokus katër lloje mbetjesh, përkatësisht ambalazhet dhe mbetjet e tyre, bateritë dhe akumulatorët, automjetet në fund të jetës dhe mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike. Ligji do të zbatohet edhe për njësitë e vetëqeverisjes vendore në përmbushje të funksioneve të tyre, me qëllim arritjen e objektivave kombëtarë në fushën e mbetjeve, të përcaktuara në Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›