E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Strategjia e re e mbetjeve synon përafrimin me standardet e BE

Shqipëria ka hedhur hapin e parë drejt një reforme të thellë në sektorin e menaxhimit të mbetjeve, me synimin për të vendosur themelet e ekonomisë qarkulluese dhe për të përshpejtuar integrimin europian.

Grupi Ndërinstitucional i Punës për rishikimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, si edhe të Planit Kombëtar Sektorial të Mbetjeve, zhvilloi sot mbledhjen e parë.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi se ky proces është i lidhur ngushtë me objektivat e integrimit europian. 

“Rishikimi i Strategjisë dhe i Planit Kombëtar Sektorial do të rakordojë objektivat e Direktivës Kuadër të Mbetjeve të Bashkimit Europian me prioritetet tona kombëtare, aspiratën për mbylljen e Kapitullit 27, planin e investimeve për sektorin e mbetjeve në dekadën e ardhshme, si edhe mekanizmat e nevojshëm financiarë për zbatimin e tij.” 

Ai shtoi se dokumenti i ri do të shërbejë si udhërrëfyes strategjik deri në vitin 2035: 

“Ky dokument do të shërbejë si udhërrëfyesi strategjik i reformës së sektorit deri në vitin 2035.” 

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar: 

“Në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me angazhimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse, do të hartojmë një dokument të qëndrueshëm, të zbatueshëm dhe të financuar, që do të vendosë themelet e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri dhe do të orientojë zhvillimin e sektorit të mbetjeve sipas standardeve më të mira europiane.” 

Ministri Jaupaj theksoi se ky proces kërkon angazhimin e të gjitha palëve: 

“Ky është një proces që kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, pushtetit vendor, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një sistem modern të menaxhimit të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.” 

Në përmbyllje, ai nënvizoi synimin kryesor të qeverisë: 

“Synimi ynë është të hartojmë një strategji realiste, të zbatueshme dhe të financuar, që do të udhëheqë reformën e sektorit të mbetjeve dhe do të përshpejtojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.” 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›