E Hënë, 2 Nëntor 2026

Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, takime ndërgjegjësuese me nëna të reja në Korçë

Rëndësia e ushqyerjes me gji ka qenë në fokusin e aktiviteteve të zhvilluara nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë, në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji, që shënohet çdo vit nga 1 deri më 7 gusht. Mjekja pediatre, Dituri Sulollari, theksoi se shumica e nënave në Korçë zgjedhin të ushqejnë me gji, duke vlerësuar këtë si mënyrën më të mirë për zhvillimin fizik dhe psikomotor të fëmijëve.

“Shumica e nënave janë të ndërgjegjësuara që ushqyerja me gji është kryesorja. Nëse para disa vitesh nga mosha 0-6 muajsh duhet t’i ushqenim me gji, në kohët e sotme themi që ushqyerja me gji të vazhdojë deri në 2 vite”, u shpreh mjekja pediatre.

Një nga nënat pjesëmarrëse ndau eksperiencën e saj personale me dy vajzat, duke e cilësuar ushqyerjen me gji si një përvojë të çmuar dhe duke i bërë thirrje nënave të reja që ta përqafojnë këtë praktikë natyrale për të mirën e fëmijës dhe të tyre.

“Qumështi i gjirit ka të tjera vlera për fëmijët dhe iu bëj thirrje të gjitha nënave që t’i ushqejnë me gji” u shpreh Juela Muço.

Kjo javë nuk është thjesht një fushatë shëndetësore, por një lëvizje globale për të investuar në të ardhmen e fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›