E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria i jep fuqi Korporatës së Investimeve Shqiptare për konsolidimin e pronave shtetërore

Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi një vendim, i cili i jep Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) autorizim të plotë për të koordinuar procesin e konsolidimit të pronave shtetërore me interes për zhvillimin e projekteve publike dhe investimeve strategjike.

Ky vendim, i firmosur nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, synon të shpejtojë dhe thjeshtojë procedurat për përdorimin e pronës shtetërore, duke e kthyer KISH-in në një pikë qendrore për identifikimin, konsolidimin dhe planifikimin e këtyre pronave.

Me këtë vendim, KISH ngarkohet me disa detyra thelbësore ne lidhje me konsolidimin e pronave, siç është ndërmarrja e të gjitha veprimeve procedurale për të konsoliduar pronat shtetërore në zona të caktuara, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe institucionet e tjera publike.

KISH do të koordinojë punën me të gjitha institucionet shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore që kanë në administrim këto prona. Qëllimi është të sigurohet informacioni i nevojshëm për një pasqyrë të saktë të gjendjes pronësore, të përcaktohen qartë kufijtë dhe të përfundohet me përparësi regjistrimi i pronave.

Korporata do të bashkëpunojë me institucionet publike të planifikimit për të hartuar projekte zhvillimi mbi pronat shtetërore të konsoliduara.

Afate dhe bashkëpunim i detyruar

Vendimi përcakton një afat të shkurtër për institucionet e përfshira. Ato duhet të paraqesin informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar brenda pesë ditëve punë nga marrja e kërkesës së Korporatës.

Për më tepër, këto institucione nuk duhet të kryejnë asnjë veprim që mund të ndryshojë statusin juridik të pronave në fjalë, derisa KISH të ketë hartuar projektet e zhvillimit.

Ky vendim pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në shpejtësinë e realizimit të investimeve strategjike dhe projekteve me interes publik, duke eleminuar burokracinë e shpërndarë dhe duke centralizuar procesin e menaxhimit të pronës shtetërore.

Zbatimi i tij ngarkohet te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet e tjera përkatëse.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›