E Diel, 1 Nëntor 2026

Java e 25 e Superligës, në fundjavë

Me titullin kampion tashmë të vendosur, sepse 17 pikë në 9 javët e fundit, Dinamo nuk mund ti humbasë, e gjithë vëmendja është përqendruar në luftën për mbijetesë. Për javën e 25 të Superligës, dy ndeshje do të luhen të shtunën, ku spikat ndeshja mes Gramozit dhe Skënderbeut. Kolonjarët të penalizuar shpesh nga gjykimi do të luajnë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, kundër një rivali direkt për qëndrimin në Superligë. Skuadra e Agim Canajt nuk i lejon vetes humbjen, sepse më pas misioni do të bëhej i pamundur, ndërkohë që një fitore do ta conte Gramozin vetëm 2 pikë larg korcarëve.

Skënderbeu e di mirë se kjo ndeshje do të jetë vendimtare, sepse këtë herë rruga nuk do të jetë e lirë, si në katër ndeshjet e fundit. Të shtunën do të luhet edhe ndeshja mes Dinamos kryesuese dhe Kastrotit, që kërkon shpëtimin, duke qenë se me 29 pikë është i rrezikuar direkt. Muca ka deklaruar se nuk do të bëjë kompromise, por duhet parë, nëse Dinamo do të luajë si dominuese e kampionatit, apo me tolerimin e titullit të fituar. Katër ndeshjet e tjera që do të kompletojnë javën e 25 do të luhen të dielën. Tirana do të presë në kryeqytet Vllazninë.

Shkodranët kërkojnë pikë sepse asgjë nuk e kanë të garantuar në zonën ku ndodhen, me 30 pikë, por kuqeblutë mund të ndjejnë lodhjen e ndeshjes gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë në mesjavë. Bardheblutë që po kalojnë një tjetër moment të vështirë, kanë nevojë për fitore, sepse Laci është vetëm një pikë larg dhe nuk ka një ndeshje të pakalueshme për të luajtur. Kurbinasit ndjekin ëndërrën e tyre për një vend në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm, por më parë duhet të mundin Apoloninë në Lac. Ndeshje delikate edhe për Flamurtarin, në transfertë me Besën. Vlonjatet me 29 pikë kërkojnë me cdo kusht të shmangin telashet, ndërkohë që kavajasit që nuk fitojnë prej 4 ndeshjesh. Shkumbini-Teuta është një tjetër sfidë interesante, ku përballë janë dy formacione që i ndan vetëm një pikë diferencë, por peqinasit në shtëpi nuk njohin rivalë.

Eno Skarço < I mëparshmi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›