Javën tjetër ulje çmimit të karburanteve

Më në fund një lajm i mirë për xhepat e shkundur të konsumatorëve. Javën e ardhshme në tregun vendas me pakicë çmimet e karburanteve do të pësojnë ulje, duke ndjekur tendencën e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Korrieri” nga kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi. Muajt e fundit, çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë pësuar rritje të lartë nga 10 deri në 50 lekë, ndërkohë që kjo është hera e parë që importuesit në vend ndjekin kurbën e çmimeve në bursat e huaja. Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Nushi, shpjegoi se ulja e çmimeve lidhet me çmimin e shitjes së këtij produkti në bursat e huaja, dhe përveç kësaj kjo është periudha që importuesit nisin furnizimet e reja. “Çmimet e karburanteve prej disa ditësh në bursë kanë shënuar ulje, situatë kjo e cila do të pasqyrohet javën e ardhshme. Nuk duhet të harrojmë faktin që importuesit e naftës punojnë me rezerva, ku ligji lejon importim të tyre, duke mbajtur tre muaj rezerva. Në këto kushte, fillimi i importit të naftës me çmimet e reja, të cilat kanë shënuar ulje, do të përcillen edhe në tregun vendas”, tha Nushi, duke mos e konkretizuar sesa do të jenë këto ndryshime. Po ashtu, kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve paralajmëroi se ulja e çmimeve nuk do të jetë e njëjtë në të gjitha pikat e shitjes së karburanteve, duke krijuar variabla të ndryshme. Ndryshimet e çmimeve në tregun vendas tregojnë edhe njëherë më së miri varësinë e furnizimit të karburanteve në vend nga importet. Edhe vetë shifrat zyrtare tregojnë pamundësinë e prodhimit vendas për të mbuluar kërkesat e konsumatorëve.
Prodhimi dhe importi
Sipas statistikave zyrtare, nafta e prodhuar në vend plotëson kërkesat vetëm për 20 për qind të tregut, ose e thënë ndryshe, ajo arrin në vlerën e 110 mijë tonë naftë e përpunuar në vit. Ndërkohë që kërkesa e konsumatorëve llogaritet në 30 mijë tonë naftë në muaj, ku pjesa tjetër mbulohet nga importi. Sasia e naftës së importuar llogaritet në 320 mijë tonë në vit. Duke iu referuar statistikave zyrtare të ish-kompanisë shtetërore “Armo”, nga viti në vit konstatohet rritje e sasisë së naftës që përpunohet në rafineritë e Ballshit dhe të Fierit. Nga viti 2000 dhe deri tani nafta që përpunohet në këto rafineri ka shënuar mesatarisht rritje vjetore deri në 5 mijë tonë. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë faktin që kostoja e përpunimit të saj nga rafineritë e vendit për ta kthyer në një produkt që do të shitet në tregun me pakicë është shumë herë më e ulët se kostoja e naftës së importuar. Për rafinerinë e Ballshit, kostoja për përpunimin e një ton nafte është 22.292 lekë të reja, por pavarësisht kësaj, kjo nuk ka ndikuar asnjëherë në plotësimin e kërkesave të tregut, e cila do të sillte ulje të çmimit.
Çmimi
Duke iu referuar të dhënave të shitjes së karburanteve, nga tregu vendas 1 litër naftë diezel dje është shitur 164 lekë, kurse çmimi i eurodiezelit ka qenë 169 lekë/litri. Nga ana tjetër, në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës së papërpunuar që prej dy javësh po shënon ulje. Dje, nafta e papërpunuar në bursën e Nju Jorkut ka rënë 2 dollarë, duke u shitur në nivelin e 120 dollarëve për fuçi, nga 122.14 dollarë që është shitur. Rënia e çmimit është pasojë e një numri faktesh që tregojnë për rënien e kërkesës për naftë në botë, kështu që çmimi i naftës së lehtë amerikane për porositë e gushtit në bursën e Nju Jorkut është gati e njëjtë me atë dje, kur një fuçi nafte ka kushtuar 122.19 dollarë, por për një moment ka rënë vetëm në 120.42 dollarë për fuçi, që është vlera më e ulët që nga 6 maji i këtij viti, bëjnë të ditur agjencitë botërore.
Çmimi vendas
Sipas të dhënave të shitjes së karburanteve nga tregu vendas, 1 litër naftë diezel dje u shit 164 lekë, kurse çmimi i eurodiezelit ishte 169 lekë/litri.
Çmimi i bursës
Dje nafta e papërpunuar në bursën e Nju Jorkut ka rënë 2 dollarë, duke u shitur në nivelin e120 dollarë për fuçi, nga 122.14 dollarë që është shitur. Kjo është vlera më e ulët që nga 6 maji i këtij viti, bëjnë të ditur agjencitë botërore.
Nafta D2, në vitin 2012 uljen më të lartë të squfurit
Investitorët e rinj të kompanisë “Armo” do të duhet të plotësojnë kushte të reja për cilësinë e naftës D2 apo siç njihet në gjuhën teknike “diezel”. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme miratoi vendimin që lënda djegëse “diezel”, e cila në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin 27101941 e që plotëson kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barasvlershme me të, e prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në vendburimet brenda vendit, do të lejohet të tregtohet sipas kushteve të reja. Pra, nga data 1 janar 2010, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse për motorët “diezel” nuk lejohet të kalojë vlerën 350 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 për qind m/m. Kurse nga data 1 janar 2011, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse për motorët “diezel” nuk lejohet të kalojë vlerën 150 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 për qind m/m. Kurse nga data 1 janar 2012, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse për motorët “diezel” nuk lejohet të kalojë vlerën 10 mg/kg dhe duhet të plotësojë kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barasvlershme me të.