E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja Ismail Qemali

Formula që hodhi rektori i Universitetit të Vlorës do të hidhte në erë emrat e shumë institucioneve publike në vend, që nga aeroporti Nënë Tereza, stadiumi Qemal Stafa, akademia e sporteve Vojo Kushi etj. Lexoni më poshtë listën

TIRANË - Që emri i një figure të shquar t’i vihet një universiteti, shkolle apo spitali, duhet me doemos që kjo figurë të ketë dhënë kontribute në atë që institucioni përfaqëson. Çështja e ndërrimit të emrit të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” ka qenë problemi që është rrahur më së shumti ditët e fundit. Ky problem është bërë burim polemikash dhe debatesh të shumta mes qarqeve politike dhe arsimore në vend, duke u kthyer deri në një problem kombëtar. Njëra prej arsyeve që e përligj heqjen e emrit “Ismail Qemali” Universitetit të Vlorës, sipas rektorit të këtij universiteti, Tanush Shaska, njeriu që ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë, asokohe kryeministër i Shqipërisë, nuk ka asnjë lloj lidhje me arsimin. Duke u nisur sipas kësaj logjike, atëherë na duhet t’u ndërrojmë emrat shumë institucioneve në Shqipëri. Kjo, pasi emrat me të cilët ata identifikohen, nuk kanë asnjë lloj lidhje me atë çfarë përfaqëson institucioni. Po të bëjmë një toplistë, dalin disa institucione, emri i të cilëve bie në kundërshtim me përmbajtjen e tyre. Duke u nisur nga kjo formulë, edhe gjimnazi i Tiranës “Ismail Qemali” duhet ta ndërrojë emrin. Pasi sipas logjikës së rektorit të universitetit me të njëjtin emër të qytetit të Vlorës, njeriu që emërton këtë universitet nuk ka dhënë asnjë kontribut në fushën e arsimit. Duke ndjekur po këtë vijë logjike, do të duhet t’i ndërrohet emri edhe Aeroportit të Rinasit, i cili mban emrin e shenjtores dhe nobelistes shqiptare, Nënë Tereza. Lista vazhdon më tej me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, të cilit gjithashtu duhet t’i ndërrohet menjëherë emri, pasi heroi i luftës nacionalçlirimtare nuk ka dhënë asnjë kontribut për futbollin. Këtë fat duhet të ketë edhe Akademia e Edukimit Fizik dhe e Sporteve “Vojo Kushi”, të cilin më shumë se një sportist, shumëkush e njeh si njeriu që u hodh trimërisht mbi tankun nazist. “Aleksandër Moisiu” është emri i njeriut me të cilin njihet “Universiteti i Durrësit”, por duhet të zëvendësohet me një tjetër emër, sepse aktorit me famë botërore, i cili u dha zë tragjedive, nuk i njihet asnjë kontribut në fushën e arsimit. Po kështu, emri “Mbretëresha Geraldinë” është i papërshtatshëm për maternitetin e vjetër të Tiranës, sepse nuk dihet që të ketë qenë eksperte në fushën e mjekësisë. Por nuk janë vetëm këto institucione, të cilëve duhet t’iu ndërrohet emri. Po të vëzhgojmë gjatë, ka shumë institucione të tjera që përjetësojnë emrat e shumë figurave të shquara, të cilët ndoshta nuk kanë asnjë lidhje me institucionin që emërtojnë. Dhe po të ecim sipas këtij arsyetimi, do të duhej një punë e madhe për zëvendësimin e këtyre emrave. Kujtojmë që në të gjithë botën, për emrat e institucioneve përzgjidhen në shenjë respekti e nderimi personalitete që kanë kontribuuar në fusha të ndryshme, jo domosdoshmërish në lidhje me fushën që përfaqëson institucionit.

Pollo: Të shqyrtohen emrat e gjithë universiteteve në vend

“Nuk ma do mendja se kjo nismë e rektorit dhe e senatit është shprehje e mosrespektit ndaj një figure si Ismail Qemali”, tha ish-ministri Pollo gjatë një emisioni në një televizion. Sipas tij, vendimet i merr Ministria e Arsimit, ndërsa universitetet kanë të drejtë vetëm të propozojnë. Duke e parë situatën jashtë postit të ministrit të Arsimit, Pollo i rekomandoi ministrit të sapodekretuar, Fatos Beja, që të gjejë një zgjidhje për këtë çështje. “Pasi të ketë rënë pasioni patriotik, të mblidhet konferenca e rektorëve dhe të vendosin mbi këtë çështje dhe për të gjithë universitetet e tjerë të rretheve në vend, nëse ata duhet të quhen vetëm me emrat e qyteteve, apo bashkëngjitur të shoqërohen edhe me emrat e personaliteteve përkatës”, u shpreh Pollo.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›