Jazexhi: Kishim marredhenie te shkelqyera me Iranin, rezoluta e PS rrezik per shqiptaret

Olsi Jazexhi, i ftuar në emisionin “Fax News” nga gazetarja Fatime Baçi, ka dalë hapur kundër rezolutës që pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, ku Irani do të shpallet si shtet që sponsorizon terrorizmin.
Ai u shpreh se Shqipëria ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin, të cilat, sipas tij, u prishën pas strehimit të muxhahedinëve në vendin tonë. Jazexhi theksoi se rezoluta e Partisë Socialiste është e rrezikshme dhe se përfshirja në një konflikt me Iranin cenon drejtpërdrejt sigurinë e shqiptarëve.
“Në Shqipëri ka shumë dizinformacione. Në lidhje me sulmin kibernetik në 2022, deri sot nuk është provuar se ka qenë Irani që e bëri sulmin, madje për personat që e ndjekin, edhe deklaratat e DASH, në deklaratën e DASH është hedhur ideja se aktorë të sponsorizuar nga Irani mund ta kenë sulmuar Shqipërinë. Nuk është pranuar nga Irani që ishte ai që kreu sulmin kibernetik.
Kush përfitoi nga ky sulm? Izraeli. Pas kësaj Rama dorëzoi të gjithë të dhënat dixhitale të shqiptarëve, Izraelit.. Edhe tenderat e AKSHI, vjedhjet masive që ka gjetur SPAK, përfituan kompani izraelite.
Shqipëria ka patur marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin. Krerë të PS janë financuar nga Irani në Shqipëri. Irani i është gjendur afër Shqipërisë, kanë dhënë mijëra bursa studimi. Një nga pullat kombëtare të Iranit, është figura e Naim Frashërit.
Pra Shqipëria ka patur marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin deri në 2015-2016, kur u bë marrëveshja e ashtuquajtur nukleare mes Iranit dhe SHBA, dhe Rama iu ofrua amerikanëve të strehonte muxhahedinët./faxnews