Jazexhi: Mossadi po ndez kaosin në Iran, ligji po zbatohet për të shmangur shkatërrimin e vendit

Olsi Jazexhi, gjatë një analize publike, deklaroi se shërbimi sekret izraelit, Mossadi, sipas tij, po sponsorizon elementë të dhunshëm për të nxitur destabilizimin e Iranit, përfshirë djegien e xhamive dhe vrasjen e civilëve, me qëllim krijimin e kaosit dhe justifikimin e ndërhyrjeve politike dhe ushtarake. Ai tha se, duke marrë shkas nga këto ngjarje, udhëheqja iraniane ka vendosur zbatimin e rreptë të ligjit për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike.
Sipas Jazexhit, në Iran ekziston liri proteste dhe opozita lejohet të shprehë pakënaqësitë e saj brenda kornizës ligjore, por shteti iranian nuk toleron shkeljen e ligjit dhe aktet e dhunës. Ai solli si shembull protestat e 28 dhjetorit në tregun e dyqaneve të celularëve në Teheran, ku tregtarët protestuan në mënyrë paqësore kundër pamundësisë së qeverisë për të kontrolluar rënien drastike të monedhës vendase, zhvlerësim që, sipas tij, u shkaktoi humbje milionëshe bizneseve.
Jazexhi theksoi se presidenti iranian u kërkoi ministrave të ndërmerrnin masa urgjente për stabilizimin e monedhës, ndërsa drejtori i Bankës Qendrore dha dorëheqjen duke marrë përgjegjësinë për situatën. Sipas tij, menjëherë pas këtyre protestave paqësore, në skenë hynë grupe diversantësh të lidhur me CIA-n dhe Mossadin, të cilët synuan të provokonin përplasje të dhunshme dhe luftë civile, duke sulmuar hoxhallarë, zyrtarë dhe civilë.
Ai shtoi se më 3 janar, Ajatollah Ali Khamenei denoncoi publikisht vrasjet e civilëve dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë që personat përgjegjës për akte dhune dhe djegie xhamish të përballen me drejtësinë. Jazexhi pretendoi se edhe mediat izraelite kanë publikuar deklarata që, sipas tij, lidhen me thirrje të Mossadit për destabilizimin e strukturave të sigurisë iraniane.
Sipas analizës së tij, gjatë ndërrimit të viteve në Iran u shfaqën banda të armatosura dhe qeveria iraniane vendosi të neutralizojë personat që po nxisnin dhunë. Jazexhi deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara synojnë eliminimin e liderit suprem të Iranit, ndërsa theksoi se Irani mbetet një fuqi e madhe ushtarake, e mbështetur nga Kina dhe Rusia, dhe sipas tij, është një nga vendet e fundit islamike që nuk është shkatërruar nga ndërhyrjet amerikane./faxweb