Jehonë botërore për 100 vjetorin e Shqipërisë
Mediat më prestigjioze kanë shkruar për kremtimet madhështore të shekullit të Shqiptarëve. Në Kongresin Amerikan paraqitet një rezolutë, ku përshëndetet kontributi i shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve, ndërkohë që ritheksohet aleanca mes dy shteteve. 57 delegacione shtetesh dhe 12 organizata ndërkombëtare patën në Tiranë, si mysafirë të festës, përfaqësuesit e tyre
Berisha: “28 Nëntori, festa e shekullit, çoi në vend të vërtetat historike”
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje në një konferencë të posaçme për shtyp, të gjitha personalitetet botërore që morën pjesë në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Sipas tij, ishin 57 përfaqësues nga 57 vende mike dhe 12 përfaqësues të organizatave më të fuqishme botërore.
Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje faktin se ky 100 vjetor u festua në mënyrë madhështore, ku u bashkuan shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, shqiptarët e të gjitha trevave, duke përçuar fort zërin e bashkimit. Kësaj feste, sipas tij, iu dhanë ngjyra dhe më të forta, pikërisht dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët iu bashkuan kësaj feste kaq të rëndësishme për historinë e kombit.
“Tani pas përfundimit të festimeve të 28 Nëntorit mirënjohjet më të përzemërta të miat dhe qeverisë sime shkojnë për të gjithë atë, të cilët bënë të mundur që Tirana, Vlora, Shqipëria të përjetojë ditën më festive të shekullit, festën më të bukur në tërë ekzistencën e tyre. Falënderimi dhe mirënjohja më e parë është për miqtë dhe të ftuarit që na nderuan aq shumë me delegacionet që dërguan. 57 vende mike u përfaqësuan në rang të deleguarish direkt nga kryeqytetet e tyre, po kështu 12 organizata nga më të fuqishmet ndërkombëtare dërguan të deleguarit e tyre për të festuar këtu me popullin shqiptar. Me këtë rast më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjitha ato vende mike, që dërguan përfaqësuesit e tyre për të festuar më 28 nëntor 100 vjetorin e Pavarësisë me shqiptarët. Falënderoj edhe vendet që u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre”, kryeministri Berisha.
Për kryeministrin ardhja e tyre ishte një nderim i veçantë, një respekt i madh, dëshmi e një vlerësimi të arritjeve të Shqipërisë dhe kombit të saj në 100-vjetor. Berisha shprehu falënderimin e tij për çdo shqiptar që u bë pjesë e festës, duke thënë se ata dëshmuan që kanë besim tek e ardhmja.
Njëkohësisht, në gjykimin e Kryeministrit, të gjitha aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë patën shkëlqimin e merituar.
“Shpreh falënderimin tim më të thellë për shqiptarët, që me kontributin e tyre bënë që 28 Nëntori, festa e shekullit të qëndronte lart dhe të merrte përmasa të paimagjinueshme, jo vetëm nga prania e tyre. Dashuria e tyre për flamurin për vendin, e tëra ishte besim tek e ardhmja. Kurrë nuk kanë festuar më bukur dhe më masivisht se sa 28 Nëntorin. Qytetarët shqiptarë e nxorën jashtë çdo imagjinate, për përmasat, entuziazmin, rregullim në të gjitha aspektet. Mirënjohje meritojnë këtu të rinjtë e të rejat që nuk e lëshuan flamurin nga dora, bënë gjithçka me harenë e tyre, e bënë këtë festë më të gëzueshmen e vendit”, tha ai.
Kreu i qeverisë e cilësoi prekës momentin kur një grup personash që kishin udhëtuar 18 ditë në këmbë nga Gjilani, erdhën në Vlorë e i dorëzuan presidentit Nishani flamurin kombëtar. “Falënderoj të gjitha autoritetet lokale, si dhe maratonomakët, nga të gjitha trojet shqiptare, që u nisën në rrugëtimin e pavarësisë, atë rrugë që ndoqën prijësit dhe qytetarët e tyre 100 vjet më parë”, theksoi kryeministri.
Rishikimi i historisë
Gjatë kësaj konference për mediat, pas përmbylljes së ceremonive shtetërore për Festën e Flamurit, kryeministri Sali Berisha tha se ky 100 vjetor vuri në vend disa të vërteta historike. Ai shprehu mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata studiues, publicistë, historianë dhe gazetarë që me botimet e tyre, plotësuan një nga synimet, që ishte rishkrimi i Historisë së Shqipërisë.
Për kreun e ekzekutivit rishikimi i historisë është mjaft i rëndësishëm për kombin.
“Në fillim të vitit patëm dy objektiva, njëra ishte rishikimi i historisë pasi në Shqipëri ishe falsifikuar dhe në Kosovë ishte e ndaluar. Kam qenë i mendimit se njohja e të vërtetave historike cilitdo qofshin ato, njerëzit e qytetëruar duhet të dinë historinë e tyre që të mësojnë dhe në të ardhmen të zgjedhin rrugë të duhura. Të njohin të vërtetat historike të kombit të tyre në 100 vite, të njohin luftërat, vendimet e drejta dhe të gabuara të udhëheqësve të tyre. Shpreh sot mirënjohje për të gjithë ata që shkruan, botuan studime të shkëlqyera, libra monografi, traktate. Të vërtetat e mëdha të historisë së kombit tashmë mund t’i gjejmë nëpër librari. Falënderim të thellë për këtë shërbim”, tha Berisha.
Ai theksoi se në këtë 100 vjetor të Pavarësisë u nderuan figurat historike.
Në këtë drejtim kreu i qeverisë iu referua figurës së Mbretit Zog, duke theksuar se rikthimi i eshtrave të mbretit të shqiptarëve nuk u bë për të errësuar ngjarje të tjera, apo persona të tjerë.
“Në konceptin tim të shquarit shkëlqejnë shumë më tepër kur rrethohen nga të shquar dhe jo të vetmuar. Nuk mund të pranonim që historia të mbetej e falsifikuar. Erdhën eshtrat e Mbretit Zog, ndërtuesit të shtetit shqiptar. Historia është e tillë, kushdo që e lexon historinë e kombit. Pasi luftoi e u kurorëzua mbret, Zogu u bë viktimë e një sulmi dhe pushtimi, qëndroi në mërgim si antifashist i vendosur”, u shpreh kryeministri.
Për kryeministrin Berisha inaugurimi i Mauzoleumit të Familjes Mbretërore përbën mbylljen e një historie turpi, pasi për kryeministrin dhunimi i varrit të nënës së Mbretit Zog nuk ka asnjë justifikim.
“Në vendin tim as varret e armiqve nuk i prek kush, këtu festuan duke hedhur në erë varrin e një gruaje shqiptare, e një nënë shqiptare të Matit, pra ne e rikthyem drejtësinë në vend, mbyllëm një histori turpi, si mund të hedhësh varre në erë. Ne s’kemi dhunuar asnjëherë varre, me të vdekurit ka një kod”, tha më tej kryeministri Berisha.
Por ndërkohë, kreu i qeverisë u ndal dhe në një moment të kësaj historie, e konkretisht në atë rolin e diktatorit, Enver Hoxha. Ndalur në këtë çështje, Berisha rikujtoi faktin se asnjëherë prej tij nuk është mohuar Lufta Nacional Çlirimtare, por ajo duhet parë me të vërteta e saj. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë veçoi faktin se pavarësisht mënyrës se si Enver Hoxha erdhi ai në krye të Partisë Komuniste, ajo çfarë i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve ishte e paimagjinueshme.
“100 mijë shqiptarë të burgosur të internuar me apo pa gjyq. Kjo është dokumentuar. Por qindra mijëra të tjerë, kanë qenë më të cenuar në të gjitha drejtimet. Skllevërit ishin në kushtet më të mira se fshatari shqiptar, të cilët ushqeheshin shumë më keq se të burgosurit nëpër burgje, apo se ato që jetonin nëpër kampet e përqendrimit”, deklaroi Berisha.
Kryetarja e Kuvendit pret në takime të veçanta delegacionet parlamentarë ardhur nga e gjithë bota, të ftuar për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë
“Mirënjohje për të gjithë miqtë që festuan bashkë me ne këtë kryefestë të kombit”
Pas takimit me Kryetarin e Parlamentit të Italisë, Gianfranco Fini Kryetarja e Kuvendit priti dje në takime të veçanta miqtë e ftuar prej saj Zëvendëspresidentin e Parlamentit të Austrisë Fritz Neugebauer, nënkryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Georgi Pirinski, Nënkryetarin e Parlamentit të Polonisë, Jerzy Venderlich, Nënkryetarin e Parlamentit të Marokut, Muhammed Belmahi, Përfaqësuesin e lartë të Senatit të Pakistanit Mohammad Jahangir Badar, Kryetarin e grupit të miqësisë në seantin francez Michel Berson.
Duke u shprehur mirënjohjen për ardhjen e tyre, si simbol i një miqësie të fortë, Kryetarja e Kuvendit kërkoi nga parlamentarët e vendeve anëtare të BE-së, mbështetje për përshpejtimin e hapave të Shqipërisë drejt BE-së, që nga statusi i vendit kandidat e më tej në rrugën e bashkimit me familjen europiane.