E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama nuk ngopet së fyeri shqiptarët, edhe me dacibao, edhe me “letra të hapura”

30-11-2012 / Nga Eden Babani

Me atë letër të ndyrë që Edi Rama i dërgoi dje Presidentit të Republikës, tregoi se ai nuk ngopet dot së fyeri shqiptarët, kudo ku jetojnë. E bëri proçkën në vazhdën e proçkave të tij antishqiptare, bash të nesërmen e festës sonë të përbashkët, bash kur ne të gjithë po përjetonim ende kulmin e asaj çka e kishim pritur dekada e dekada të tëra, çka na ka bashkuar e do të na bashkojë për jetë të jetëve: dashuria ndaj njëri-tjetrit. A nuk mund të priste ky mllefqar i pazakontë të paktën edhe dy ditë pa të hidhte një dorë helm në gëzimin tonë të paprecedent, si ky që posa lamë. Thënë ndryshe, ngatërrestari Rama s’mundi të duronte dot as njëzetekatër orë nga kulmi i kremtimeve, pa të na pështynte në çorbën tonë të sofrës gjithshqiptare? Ç’fitoi, në fund të fundit, më shumë sesa ngopja me lugë bosh, si një ziliqar mjeran që sa vjen nuk po e përfill më kush, përveç një tufe arrivistësh të padenjë, qoftë për t’i bërë hije edhe një të padenji, siç është ai vetë?
Vlorës, nuk ia ktheu krahët Presidenti i Republikës së Shqipërisë. As Kryeministri. As Presidentja e Kosovës. As Kryeministri i Kosovës. Nuk ia ktheu krahët kush ndër të ftuarit e nderuar që morën pjesë në atë manifestim madhështor, të cilin Vlora nuk e pati përjetuar kurrë në jetën e saj mijëravjeçare. Krahët ua ktheu shqiptarëve lideri i sajuar basifondeve të Parisit, i sajuar plazheve nudo të të përdalëve të pacipë, të cilët shqiptarët as i kanë pranuar, as do t’i pranojnë mes syresh për jetë të jetëve, sikur dhëmbin një bërxhik ta bëjnë, jo më t’i kenë mbi krye.
Shteti ka një protokoll, institucion kushtetues, të cilit duhet t’i binden pa një pa dy të gjithë: edhe shumica qeverisëse që vendos me votën e saj, edhe pakica që synon të qeverisë në të ardhmen. Edi Rama nuk e bëri. Përkundrazi, u përpoq të shkonte në drejtimin e kundërt të rrymës, duke sajuar në Vlorën e Flamurit një biçim “nate të bardhë”, një festë të përçudnuar të tipit të orgjive. Jemi të gjithë dëshmitarë të atentatit që ndërmori ai ndaj 100-vjetorit të Pavarësisë, duke bojkotuar agjendën festive.
 Fill pasi Protokolli i Shtetit do ta zhvendoste qendrën e festimeve nga Vlora e Flamurit, në Kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, kur si lider i opozitës Rama duhet të ishte domosdoshmërisht me të ftuarit në evenimentin e rastit, ai nxitoi të përuronte ekspozitën e vet me ca fotografi, që i bëri telef tek i zhvendosi brenda disa javësh nga mjediset e Parlamentit të Europës, në Prishtinë dhe, prej andej, në Preshevë a në Tetovë, kinse demonstronte qëllimet e veta atdhetare. Çështja shqiptare nuk ka aq nevojë për ca ekspozita fotografike, sa ka për ta përçuar Kombin drejt familjes së madhe europiane, për çka Rama është përpjekur të bëjë të kundërtën, duke bllokuar reformat jetike për Shqipërinë e për shqiptarët në përgjithësi.
Me atë ekspozitë, gjithsesi jo pa vlera, Rama s’mund të vendosë drejtpeshim mes pritjes madhështore që u bëri Shkupi personaliteteve të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, kur edhe liderët politikë të shqiptarëve të Maqedonisë u ngritën në lartësinë e misionit të tyre atdhetar. Ai gabon rëndë nëse mendon se, me rastin e ekspozimit të ca fotografive që mbledhin ca dhjetëra kureshtarë, mund të tërheqë vëmendjen e bashkatdhetarëve si gjoja lider politik i së ardhmes, i së ashtuquajturës “rilindje”, një lloj rilindjeje socialiste e  tipit komunist. Shpifjet e Ramës, me rastin e përurimit të asaj ekspozite vend më vend  për “problemet e panumërta” që paska vendi dhe që ai do t’u japë fund me anë të shkopit magjik, s’janë veçse lehje konesh që i zilepsen hënës së plotë. Më shumë sesa me propagandën bajate të Ramës, bashkatdhetarët tanë të përtej kufijve shtetërore patën rasti të bindeshin për realitetin e sotëm shqiptar, duke përjetuar në mënyrë aktive gjatë ditëve festive të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kurse letra e ndyrë drejtuar Presidentit të Republikës, nuk është veçse vetëdemaskim për urinë e tij antishqiptare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›