Jemen, Saleh refuzon të japë dorëheqjen

Presidenti i Jemenit, Ali Abduallah Saleh sërish ka refuzuar që të largohet nga pushteti, duke zvarritur kështu krizën në shtetin e Gadishullit Arabik të shkaktuar nga protestat që i bëjnë thirrje atij t`i japë fund pushtetit 33 vjeçar.
Saleh refuzoi në minutën e fundit të dielën, të nënshkruajë një marrëveshje të mbështetur nga shtetet e Gjirit Arab dhe SHBA-të, që do t`i jepte atij imunitet nga përndjekja, nëse do të jepte dorëheqje brenda 30 ditësh.
Televizioni shtetëror i Jemenit tha se ai do të nënshkruajë vetëm në praninë e liderëve të opozitës, të cilët e kishin nënshkruar marrëvshjen të shtunën.
Është hera e tretë që Saleh është tërhequr nga nënshkrimi i marrëveshjes, që ka për qëllimin përfundimin e trazirave në Jemen, në të cilat raportohet të jenë vrarë më shumë se 170 protestues nga forcat e sigurisë së Salehit.