Jep dorëheqjen kryeministri serb, Millosh Vuçeviç

BEOGRAD, 28 janar/ATSH/- Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqjen pas protestave dhe incidenteve të shumta në Serbi. Ai tha se është krenar për gjithçka që ka bërë.
“Veten e kam parë si pjesë e politikës së vazhdimësisë që nga qeveria e parë e Aleksandar Vuçiç deri tek ajo e Ana Brnabiçit”, tha kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç në fillim të konferencës për shtyp ku dha dorëheqjen nga posti i tij i deritanishëm. “Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë si qeveri, së bashku me Presidentin e Republikës, në nëntë muajt e fundit”, tha Vuçeviç.
Por ai theksoi se ajo që ndodhi në Novi Sad, humbja e 15 jetëve nga një shembje në stacionin e trenit, hodhi hije mbi mandatin e qeverisë së tij. “Që nga ai moment Serbia dukej se kishte ngecur në këtë aksident”, tha Vuçeviç.
“Qeveria tregoi përgjegjësi këtu: Dy ministra dhanë dorëheqjen, prokuroria mori gjithçka që kërkoi lidhur me rastin dhe mund të bënte hetimet, ku u pa se nuk ka njerëz të mbrojtur dhe të privilegjuar. Ne si qeveri jemi munduar që të prezantojmë të gjitha dokumentet”, tha Vuçeviç.
Incidentet dhe dorëheqja
Vuçeviç bëri të ditur se të martën në mëngjes është informuar se gjatë natës ka pasur një incident të ri në Novi Sad ku është plagosur një vajzë. Më parë ka pasur edhe incidente të tjera të shumta gjatë protestave të studentëve dhe qytetarëve, ku janë sulmuar demonstruesit me makina por edhe me thikë. Sidoqoftë, Vuçeviç tha në fund se pas konsultimeve dhe pas shqyrtimit të situatës ka vendosur të marrë përgjegjësinë politike dhe të japë dorëheqje të parevokueshme. “Presidenti është njoftuar me dorëheqjen dhe e ka pranuar këtë dorëheqje”, tha Vuçeviç.
Tani pritet të deklarohet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili duhet të marrë vendimin se si do të zhvillohen gjërat në orët dhe ditët e ardhshme.
Millosh Vuçeviç ishte kryeministër i Serbisë për nëntë muaj. Më parë ai ka qenë zëvendëskryeministër, ministër i Mbrojtjes dhe kryetar i bashkisë në Novi Sad . Ai është nënkryetar i partisë SNS të Aleksandar Vuçiç./DW/