Jepet pretenca për “Sterilizimin”, SPAK kërkon nga 10 vite burg për ish-zv.ministrin Rjepaj dhe biznesmenin Rrapaj

Struktura e Posaçme Antikorrupsion dha pretencën për të pandehurit e dosjes “Sterilizimi”.
SPAK, për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, kërkoi nga 10 vite burg secili, ndërsa me gjykim të shkurtuar iu zbritet në 6,8 vite burg.
Për Marsela Serjanin, SPAK kërkoi 3 vite e 6 muaj burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite e 4 muaj.
Për Arben Gjatën u kërkuan 2 vite burg, që me gjykim të shkurtuar i zbritet në 1 vit e 4 muaj burg dhe i pezullohet në 3 vite shërbim prove.
SPAK kërkoi 2 vite burg për Genc Burazerin, me gjykim te shkurtuar i zbritet në 1 vit e 4 muaj dhe i pezullohet ne 2 vite shërbim prove. Të njëjtin dënim kërkoi edhe për Naile Ajazin.
Sa i përket ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, gjykimi për këtë çështje vijon, pasi ai ka refuzuar gjykimin e shkurtuar.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/