E Hënë, 2 Nëntor 2026

Samiti i NATO-s, Trump: Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB, fitore e madhe. Mendoj se lufta Iran-Izrael ka përfunduar

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fjalës së tij në Samitin e NATO-s, e konsideroi “fitore të madhe për SHBA-në, Europën dhe perëndimin” rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe sigurisë në 5% të PBB-së deri në vitin 2035. Ai tha se marrëveshja do të njihet si “Angazhimi i Hagës për mbrojtjen”.

“Kur kombet të arrijnë objektivin për shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së së tyre, kjo do të shtojë më shumë se 1 trilion dollarë në vit në mbrojtjen e përbashkët të aleatëve. Është një fitore e madhe për SHBA-në, Evropën dhe qytetërimin perëndimor,” thotë ai.

I pyetur mbi Spanjën, e cila është shprehur kundër rritjes prej 5% të PBB për shpenzimet e mbrojtjes, Trump tha se do ta bëjë vendin të paguajë.

“E dini se çfarë do të bëjmë? Po negociojmë me Spanjën për një marrëveshje tregtare. Do t’i bëjmë të paguajnë dy herë më shumë. Dhe në fakt po flas seriozisht për këtë. Më pëlqen Spanja, kam kaq shumë njerëz nga Spanja. Është mot, vend i mrekullueshëm dhe ata janë njerëz të shkëlqyer. Por Spanja është vendi i vetëm nga të gjithë vendet që refuzon të paguajë. Por nuk do ta lejoj të ndodhë këtë. Është e padrejtë“, tha Trump.

Duke iu referuar konfliktit Iran-Izrael, Trump tha se mendon se kjo luftë përfundoi kur SHBA goditi vendet bërthamore të Iranit.

“Ky ushtrim i jashtëzakonshëm i pushtetit amerikan hapi rrugën për paqe me një marrëveshje historike armëpushimi të hënën vonë. Dhe, ne e quajmë atë luftë 12-ditore. Fola me disa njerëz. Mendoj se tingëllonte si emri i duhur. Ishte një luftë 12-ditore. Dhe ne besojmë se ka mbaruar. Nuk mendoj se ata do të luftojnë me njëri-tjetrin. Nuk mendoj kështu“, deklaroi presidenti amerikan.

Referuar edhe njëherë bombardimeve amerikane, Trump tha se SHBA zhduku vendet bërthamore të Iranit.

“Goditja shkatërruese e SHBA-së në Fordo shkatërroi infrastrukturën kritike të vendit dhe e bëri objektin e pasurimit plotësisht të pafunksionueshëm. Ne vlerësojmë se sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit kanë penguar aftësinë e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore për shumë vite në vijim“, tha ai.

Trump iu referua edhe luftës në Ukrainë gjatë fjalës së tij, duke thënë: “Le të shpresojmë ta zgjidhim atë”. I pyetur se përse ende nuk është arritur një marrëveshje, Trump tha “sepse është më e vështirë sesa njerëzit mendojnë”.

Ai shtoi se nuk e ka përjashtuar idenë që SHBA-ja të kontribuojë më shumë në mbrojtjen ukrainase këtë vit.

“Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë. Putin me të vërtetë dëshiron t’i japë fund kësaj lufte, njerëzit po vdesin në nivele që nuk janë parë më parë“, deklaroi Trump.

I pyetur nëse mendon se presidenti rus, Vladimir Putini ka ambicie territoriale përtej Ukrainës, Trump tha se është e mundur. Duke iu referuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me të cilin u takua në margjinat e samitit, ai tha se po zhvillon një luftë të guximshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›