Jepnin leje legalizimi në kërkim të votës në zgjedhjet e 2019, SPAK dërgon për gjykim tre ish-zyrtarë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 3 ish-zyrtarë të lidhur me veprime korruptive gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Çështja penale është regjistruar nga SPAK në vitin 2020, ku ish-zyrtarët Dritan Stoka, Agim Osmani, Alqi Hajdini dhe sekseri Ylli Baruti akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas hetimeve dhe bisedave të përgjyara, SPAK ka arritur në përfundimin se ish-zyrtarët kanë kërkuar nga qytetarët të përgatitin lista zgjedhësish duke i detyruar ata të votojnë në mënyrë të caktuar në këmbim të përfitimeve të paligjshme, si sigurimin e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale në zonën e Saukut, Tiranë, ruajtjen e vendit të punës etj.
Në zgjedhjet e 2019, të hetuarit nga SPAK mbanin postet konkretisht: Dritan Stoka zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, Agim Osmani kryeplaku i Saukut në Tiranë, Alqi Hajdiku ish jurist i Aluizmit dhe Ylli Baruti luante rolin e sekserit.
Sipas SPAK rezulton se këta ish-zyrtarë kanë abuzuar me pozitat e tyre për të përfituar përfitime personale dhe për të manipuluar procesin zgjedhor, duke ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve.
/rtsh.al/