E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç bojkotohet nga diplomatët në OKB

Gazeta Shqip

Organizon një debat provokativ kundër drejtësisë ndërkombëtare, kritikohet nga Perëndimi

okbShtetet e Bashkuara dhe përfaqësi të tjera diplomatike në zyrat e OKB-së në Nju Jork, bojkotuan një takim mbi drejtësinë ndërkombëtare që u organizua nga politikani serb Vuk Jeremiç, i cili drejton Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një takim që disa kombe thonë se synonte thjesht të ankohej për trajtimin e serbëve në gjykatat e krimeve të luftës.

Takimi dhe diskutimi ishte thirrur nga ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili po shërben si president i Asamblesë me 193 vende anëtare. Disa diplomatë të OKB-së e kanë akuzuar privatisht Jeremiçin se po përdor Asamblenë e Përgjithshme për të promovuar karrierën e vet politike në atdhe.

Kombet Europiane thanë se takimi i thirrur ishte një përpjekje shumë pak e fshehur për të sulmuar Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Jordania dhe Kanadaja u bashkuan me Shtetet e Bashkuara në bojkotin e debatit.

Shtetet e Bashkuara e kundërshtuan fort vendimin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme për të zhvilluar një debat tematik të pabalancuar mbi Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nuk do të marrë pjesë në të, tha Erin Pelton, zëdhënës për misionin e SHBA-së në OKB.

Ne besojmë se gjykatat ndërkombëtare dhe institucione të tjera në Ruanda dhe ish-Jugosllavi, Sierra Leone dhe Kamboxhia, kanë qenë me rëndësi vendimtare në dhënien fund të mosndëshkueshmërisë dhe për ti ndihmuar këto vende të hyjnë në rrugën e një të ardhmeje pozitive, tha Pelton.

Ai shtoi se ishte veçanërisht problematike që debati i thirrur nuk ka ofruar pjesëmarrjen e duhur për viktimat e krimeve.

Një diplomat i lartë perëndimor tha në kushtin e anonimatit, se vendimi i Jeremiç për të organizuar takimin më 10 prill, ditën që u krijua shteti kukull nazist i Kroacisë më 1941, siguronte që debati të ushqente ndjenjat e serbëve. Ai shtoi se Jeremiç pati refuzuar të ndryshojë datën, pasi një gjë e tillë u kërkua nga disa delegacione.

Që kur u krijua më 1993-shin, Gjykata e Krimeve të Luftës ka dënuar 161 njerëz për krime, nga të cilët, 15 janë shpallur të pafajshëm në apel. Disa dhjetëra të dyshuar janë ende në gjykim.

Serbia dhe Rusia kanë kritikuar ashpër gjykatën për vendimin për lirimin e dy gjeneralëve kroatë, si dhe komandantit të gueriljes shqiptare, Ramush Haradinaj.

Jeremiç nuk e përmendi drejtpërsëdrejti Gjykatën e Hagës në fjalimin e tij, por ai i tha asamblesë, se drejtësia ndërkombëtare mund të keqpërdoret në një mënyrë të tillë që parandalon pajtimin mes ish-kundërshtarëve.

Richard Dicker, një aktivist ndërkombëtar, thotë se Nikoliç është i mirënjohur për mohimin e gjenocidit të Srebrenicës, ku më shumë se 8 mijë burra dhe djem u vranë nga forcat serbe. Disa diplomatë thonë se Jeremiç mund të jetë duke organizuar ngjarje të tilla nacionaliste në përgatitje të garës për President të Serbisë.

Jeremiç bojkotohet nga diplomatët në OKB burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›