Shqipëri-Kosovë, fund tollovisë në dogana
Krerët e doganave shtrëngojnë duart: Unifikim sistemit
Tregtia - Në shtatë vitet e fundit, shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve janë 7-fishuar, nga 23 milionë euro në vitin 2005 kanë arritur afërsisht në 164.7 milionë euro në 2012-n
ARD KOLA
Ambasada e Kosovës në Tiranë ka hapur dyert për zhvillimin e një takimi të rëndësishëm mes krerëve të doganave të të dyja vendeve. Mediat ishin njoftuar për zhvillimin e konferencës, por më pas u lejuan vetëm të realizonin plane me kamera dhe fotografi, pasi takimi cilësohej si tepër teknik, në prani të ambasadorit, krerëve të doganave të Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësuesve nga Tatimet, Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, e deri te Shërbimi Informativ Shtetëror. Mbledhja zgjati dy orë dhe pas përfundimit, palët dolën në deklaratë të përbashkët: mirëkuptim dhe bashkëpunim për të shmangur konfliktet e deritanishme.
Ajo çfarë është pasqyruar deri më tani në media nuk reflekton realitetin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve. Nga takimi i sotëm uroj që ti jepet fund tollovisë në dogana dhe biznesi të mos qëndrojë në pritje të gjata për të kaluar mallin, u shpreh ambasadori i Kosovës, Sylejman Selimi, i cili dukej se kishte marrë rolin e negociatorit.
Sipas kreut të doganës së Kosovës, Naim Huruglica, mes dy vendeve nuk ka pasur probleme dhe se rastet e shënuara kanë qenë sporadike, por në media janë trajtuar gjerë, duke i dhënë përmasa më të mëdha. Ai shtoi se është në interes të të dy vendeve për të krijuar terren të lirë të bashkëveprimit ekonomik dhe tregtar dhe se askush nuk ka pasur qëllim në vetvete për të penguar kalimin e mallrave. Ambasadori Selimi u shpreh optimist se të dyja doganat kanë identifikuar pikat e dobëta dhe se në të ardhmen nuk do të kenë më paqartësi.
Drejtori i doganave për Shqipërinë, Flamur Gjymishka, u shpreh se takimi ishte tepër rezultativ dhe se kishin rënë dakord me palën tjetër për krijimin e një sistemi unifikues dhe pika kufitare të përbashkëta. Në fund të muajit prill, maksimumi brenda 15 ditëve të para të muajit maj do të jetë gati sistemi i përbashkët elektronik doganor, për të pasur një informacion, shkëmbim të dhënash dhe praktika më të shpejta në realizimin e procedurave doganore, deklaroi Gjymishka.
Agim Shahini, përfaqësues i biznesit në Kosovë u shpreh entuziast për frymën e mirëkuptimit. Biznesi duhet të respektojë rregullat dhe procedurat ligjore, sikurse autoritetet doganore duhet të krijojnë më shumë lehtësi për shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve. Qëllimi final i përbashkët është konsumi i mallrave shqip për të dyja vendet, tha Shahini.
Në qershor të vitit 2011, mes dy vendeve u firmos një marrëveshje për tregtinë e lirë të mallrave, e cila vinte pas konflikteve të shpeshta gjatë 2010-s për disa produkte. Por në dhjetor të atij viti, Ministria kosovare e Ekonomisë shpërthen në kritika ndaj Shqipërisë për taksat e vendosura nga Tirana zyrtare, kryesisht për pataten. Nëse situata nuk ndryshon, Kosova do të jetë e detyruar të vendosë referenca edhe për mallrat që vijnë nga Shqipëria, deklaronte zonja Kusari-Lila. Problemi qëndronte te produktet kosovare, siç janë patatja, qumështi, vera, etj. Debati lidhej me referencën për afro 30 lekë të patates së Kosovës.
Si duket, pala shqiptare nuk reagon dhe në qershor të 2012-s, ministrja Kusari-Lila vendos aplikimin e taksës doganore për importin e çimentos, duke prekur kështu Shqipërinë në masën 50 për qind, pjesë tregu që mbulonte vendi ynë për Kosovën.
Në muajin mars 2013, konflikti kaloi te qumështi dhe më pas te mielli. Mungesa e certifikatës së analizës së aflatoksinës u gjykua si argument për bllokimin e një sasie prej 135 tonësh miell që vinte nga Kosova në Shqipëri, thotë e indinjuar Prishtina zyrtare. Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi doganat kosovare kthyen 23 tonë qumësht prodhim shqiptar. Bllokimi i miellit është bërë nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit në Kukës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës. Ngarkesa, sipas drejtorit lokal të AKU-t, nuk është e shoqëruar nga certifikata e cila saktëson përmbajtjen e aflatoksinës.
Shqipëri-Kosovë, fund tollovisë në dogana burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email
