E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e piktorit Piero Guccione

Një film dokumentar mbi jetën e piktorit të njohur italian Piero Guccione (Sicili 1935), shfaqet sonte, ora 18:00, në Kinema Milenium në Tiranë. Autor i tij, Nunzio Masssimo Nifosi, trajton jetën e Gucciones në mënyrë të tillë që nëpërmjet tregimeve të zgjedhura publiku të kuptojë gjenezën e pikturës së tij. Drita dhe deti janë vendet ku gjen prehje shpirti i tij.

Sipas historianit të artit Mauricio Calvesi, piktura e Guccione-s luhatet mes realizmit magjik, formës dhe abstraksionit dhe është e aftë për të shkaktuar ndjesi shpirtërore, për të dhuruar horizonte të humbura, ngjyra shtangëse dhe rrugëtime ëndërruese. Dokumentari Piero Guccione – drejt pafundësisë, është realizuar edhe me ndihmën e dëshmive të të tjerëve për Guccione-n, personalitete ndërkombëtare, shkrimtarët Marc Fumaroli e Tahar Ben Jelloun, artistët Franco Battiato, Franco Sarnari e Sonia Alvarez.

Hera e fundit ku Guaccione ka manifestuar artin e vet, ishte Bienalja e Venecias 2011. Galeria Kombëtare e Artit Modern në Romë i kushtoi një retrospektivë më 2009-n. Ndërsa regjisori Nunzio Masssimo Nifosi me këtë dokumentar ndjek interesin e tij në krijimin e profileve të artistëve. Në vitin 1995 ai realizoi filmin me metrazh të shkurtër Intervistë Godard-it. Ai do të jetë sonte i pranishëm në Tiranë. Prezantimi i dokumentarit bëhet me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›