E Martë, 3 Nëntor 2026

Jeta e sprovoi, por nuk u ndal! 22-vjeçarja mes lotësh: Ëndrra më e madhe të ngrihem në këmbë

Ajo është 22 vjeç, por jeta e ka sfiduar që në moshë të re. Besjana Ismani nga Kumanova, ka qenë 17 vjeç kur është rrëzuar nga kati i dytë i shtëpisë duke dëmtuar rruazën kurizore, pasojat e të cilës ndikojnë te shëndeti i saj ende sot. Megjithatë duket se kjo gjë nuk e ka penguar të ndjekë pasionet e saj për stilimin e veshjeve, estetikës e gjithçka që ka lidhje me të bukurën.

Besjana tregon në “Vizioni i Pasdites” se ëndrra më e madhe është të ngrihet në këmbë.

Besjana: Ishim duke rinovuar shtëpinë. Mua më rrëshqiti këmba kur po pastronim dritaret dhe u rrëzova nga kati i dytë. Mora një dëmtim serioz. Tani më 18 qershor bëj 5 vite që më ka ndodhur aksidenti. Brenda 2-3 ditësh e mora veten dhe besoj se çdo gjë ndodh për një arsye. Çdo e keqe e ka një të mirë. E mira e gjithë kësaj është që mua më është dhënë një vullnet shumë i madh që jo të gjithë mund ta kenë. Në fillim nuk lëvizja dot dhe mjeku nuk më dha garanci që mund të ngrihem sërish. Me fizioterapi arrita para 6 muajsh të ngrihem në këmbë me paterica. Periudha e pandemisë më shkaktoi probleme sepse u mbylla 7 muaj në shtëpi dhe u ngadalësua procesi i shërimit. Tani kam shkuar në kontrolle dhe ka shpresë por trajtimi kushton. Një ndërhyrje kushton 21 mijë euro. Mua më duhen 4 ndërhyrje dhe për mua e familjen time është pak e papërballueshme.

Tregon se problemi që ka nuk e ka penguar për të ndjekur pasionin dhe profesionin si estetiste. Gjithashtu thotë se studion për mjekësi, por nuk ka lënë pas as pasionin për pikturën.

Besjana: Tani ka 1 vit që nuk kam bërë protrete për shkak të angazhimeve. I bëja më shumë për qejf, jo për t’i shitur.

Ndërsa ëndrra më e madhe e saj është të ngrihet në këmbë. Mes lotësh i kërkon shqiptarëve që ta ndihmojnë për të realizuar ndërhyrjet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›