Jeta e tjetrit
Erjeta Cufaj është lindur në Fushë Arrëz të Pukës më 17 gusht 1987 nga një baba inxhinier zbatues dhe një nënë mësuese në klasat fillore. Erjeta erdhi 9 vjeçe në Tiranë përpara se edhe familja Cufaj, me pesë vajza e një djalë, të vendosen në kryeqytet. Formimi i Erjetës vazhdoi me gjimnazin. Hyrja në Akademinë e Arteve në vitin 2006 përcaktoi profesionin e saj: aktore.
Kronologjia nga lindja në vitet e shkollës e më pas, i shkon njeriut me histori, jo Erjetës. Është e vërtetë që vrapi i saj i jetës që ska kapur as gjysmën, nuk ka shënuar ngjarje të asaj rëndësie që të tregohen tani një nga e një, saç është e vërtetë se Erjeta është në gjendje ti dhurojë tjetrit, kundrejt asgjëje veç përqendrimit, përvojën e njëmendtë njerëzore nëpër të cilën kalojnë personazhet e dramaturgjisë botërore.
Ajo është aq bujare ndaj nesh sa të përjetojë ferrin e dikujt tjetër e të kthehet asaj rruge me trupin e saj të vogël e të bardhë, me sytë e saj të tejdukshëm e pak të kryqëzuar, me zërin e saj që pëshpërin kur mat mendimin, për të treguar se ku e gjen njeriu forcën të vetëvritet për të jetuar apo të rrisë në dhomën e vet përbindësha të vegjël qelqi.
Me dy role në skenën e Teatrit Kombëtar Erjeta ka dialoguar një përvojë prej hiri të mëshirshëm nëpërmjet Zhuljetës së saj të Shekspirit dhe Lorës së saj të Tenesi Uiljams, e cila rrallë ndjehet edhe në brezat e aktorëve në karrierë. Me Zhuljetën debutoi në prill 2011 në Teatrin Kombëtar në produksionin Dashuri e hidhur e regjisorit Carlo Bruni. Zhuljeta e saj e plotë, saç mund të jetë i plotë tragjizmi fëminor, nuk ishte rastësi. Me Lorën e Koleksionit të qelqtë vënë në skenë nga Lorin Terezi, produksion i Teatrit Kombëtar për Festivalin Teatror të Rinjve, Erjeta tregon aktoren e premtuar. Juria e këtij festivali e shpalli Aktoren më të Mirë.
Pas shfaqjes së fundit të Koleksionit të qelqtë më 26 shkurt Erjeta linte oborrin e errët e me shi të Teatrit Kombëtar, e futur në një xhup të gjatë të zi, e zbehtë, si të kishte dalë nga lindja e tjetrës, trupin e të cilës e kishte lënë tanimë në skenë.
Të nesërmen ajo foli për veten, për jetën e personazheve të saj. Më pas ndoqi rrugën për në Akademi të Arteve për të tërhequr aty një kopje të Shërbëtoreve të Jean Genet-së. I pëlqen Solanzha në veçanti kundrejt Klerës, por nëse vërtet do të mendonte për ta luajtur, do ti merrte të dyja brenda vetes.
Pra, kjo punë nis me konkurs në Akademinë e Arteve më 2006. E mban mend me çfarë pjesësh ke konkurruar?
Kam konkurruar me një pjesë nga Shekspiri, me Poemën e mjerimit të Migjenit dhe nga Azem Shkreli me një poezi nga të cilat mbaj mend vargjet: Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që stë fal/ Dhe dije/ Mirë, kurrë më një e një nuk bëjnë një/ Si thonte Hikmeti, aj farë poeti me këngë prej zjarri. Shko/ Merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde, hiqe zvarrë/ Rrugëve si gjenë e ndyrë/… Shko, më mirë/ Dhe hesht. Mos u kthe mbas. Por vargu më goditës është: Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde.
Tekstet e Shekspirit të kanë ndjekur në momente të rëndësishme.
Ishte një monolog i Ofelisë. Më kujtohet kur hodha hapin e parë, duhej të futesha te ajo dera e vogël e ngushtë, të kaloja te Black Box-i i vogël, e pastaj të përballesha me komisionin. U ktheva për të ikur. Jo se kisha pasiguri, por dëgjoja pëshpërimat e kandidatëve që thoshin se kishin punuar me pedagogë. Unë skisha punuar me asnjë. Ndihesha… ja që fitova.
Si ishin vitet e shkollës?
Si ishte jeta në vitet e shkollës do të thuash, sepse vitet e shkollës nganjëherë më duket se janë për të gjithë njëlloj. I shikoja të gjithë nëpër lokale. Unë ngrihesha në mëngjes pija një kafe dhe shkoja në studio. Përpos shkollës kam punuar me fizikun tim nga ana plastike, më ka ndihmuar lëvizja skenike, pikat e orientimit. Më pëlqen baleti, e kam ushtruar në shtëpi, në studio dhe mundohesha të fitoja një plastikë të mirë. Kjo gjë pastaj është konkretizuar me pjesën Leksioni të Ionescos. Ishte një punë studentësh por në fakt është një ndër punët më të bukura që kam në Akademi, në vitin e katërt. Përsëri atë vit, kam punuar me pedagog Alfred Trebickën personazhin e Sonjës te Xhaxha Vanja.
Me këtë personazh i tërhoqe vëmendjen Lorin Terezit për të luajtur Lorën te Koleksioni i qelqtë.
Ndoshta ngaqë ai ka bërë paralelizmin e Sonjës me Lorën. Sonja është shumë e brishtë dhe e ndjeshme. Në disa raste e kanë bërë mashkullore, po për mua është mjaft femërore dhe e ndrydhur. Çrëndësi ka. Unë e bëj sipas versionit tim.
Çfarë do të thotë sipas versionit tim?
E vë ashtu si unë e ndjej, si unë e shikoj. Sigurisht personazhin e kaloj nëpër një proces analize dhe kjo analizë bëhet me mbikëqyrjen e regjisorit. Dhe besoj se skam lënë për të dyshuar që se bëj dot.
Lora është e fortë e në fatkeqësinë e saj.
Sepse Lora ka ndrydhur shumë gjëra. Shpesh njerëzit e marrin heshtjen për fodullëk për budallallëk, për mungesë informacioni, për inferioret. Kur njeriu nuk i bën gjërat në kohën e duhur gjithmonë ngrihet njëlloj boshllëku. Ti e dije që duhej ti kishe bërë gjërat në kohën e duhur. Ti e dije këtë, por ske mundur e ngaqë si kaluar disa përvoja si gjithë të tjerët, është krijuar një boshllëk, janë krijuar shumë boshllëqe. Këto boshllëqe personazhi im, Lora, i di shumë mirë se si janë dhe si rezultat i kujt kanë ardhur. Ka një ritëm tjetër bota e jashtme me botën e Lorës. Duhet një person ta ndihmojë sigurisht se tekefundit të gjithë kanë nevojë për një palë tjetër. Të gjithëve na pëlqen të rrimë me veten, por është një kohë e shkurtër, një kohë kalimtare. Mendoj se njerëzit më të bukur, më frytdhënës, mbi të gjitha njerëzit më të fortë janë ata që rrinë e shohin në brendësi të tyre. Unë e shoh shumë rrallë këtë gjë te të rinjtë: i hedhin llafet si të duan, ofendojnë në sytë e të tjerëve, edhe kjo është si mungesë e të mosnjohurit të vetes së tyre.
Ka artistë që mbërrijnë te vepra e atyre përmes rraskapitjes, e të tjerë përmes kënaqësisë dhe në fund të një pune marrin të njëjtën shije ose të lodhjes ose të kënaqësisë. Me ty si ndodh? Deri në çfarë mase influencojnë personazhet?
Nuk bëj jetë të dyfishtë (qesh) Nuk para flas për karakteret, thjesht i bëj. Duke lexuar unë i vizatoj, u jap formë karakteri. Të shoh një njeri të formuar pavarësisht se është mbi lëkurën time, kjo gjë më pëlqen.
Ka një moment të punës sime që më pëlqen në veçanti, është përqendrimi që për një aktor është shumë i rëndësishëm para se të hyjë në skenë. Këtë moment e adhuroj.
Për shembull për personazhin e Zhuljetës. Hyrjen tënde e parapërgatisin zonja Kapulet dhe Vaja. Ti çfarë bën ndërkohë pas skene?
Atëherë po tregoj sekretet e mia? Mbrapa skene po bëja një lojë të vogël me veten. Ato gra flasin për mua, flasin për martesë. Si do të sillem unë? Të luaj me Vajën e ta tremb, të bëj sikur se kam pasur mendjen e gjëra të kësaj natyre. Qëllimi është për të mos bërë diçka teknike deri dhe mekanike. Sigurisht unë me përvojën do bëhem teknike, e lotët nuk do më rrjedhin si tashti, nuk do të kem ndoshta këtë lloj energjie e pozitiviteti, këtë lloj dashurie sepse çdo gjë vjen e velet. Vetëm për këtë gjë i lutem Zotit: pasionin, dëshirën, vullnetin të ma lërë gjer në fund, sepse është një gjë që unë të paktën deri tani e bëj me shumë dashuri.
Ke luajtur Zhuljetën në një moshë që e kanë luajtur edhe dy paraardhëset Eva Al
