Jo bash me Ministër
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është paraqitur të shtunën nga Afrika.
Ai ka dërguar disa fotografi nga takimet me zyrtarë të Nigerisë, për të cilët ka thënë se kanë premtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Zyra e Zëvendëskryeministrit ka njoftuar se Pacolli ka takuar Presidentin e këtij vendi, Goodluck Jonathan, por nga ky takim nuk është dërguar ndonjë fotografi.
Por, njerëzit e Pacollit kanë dërguar dy fotografi nga takime tjera, duke thënë se njëri është Ministri i Jashtëm i këtij vendi e tjetri kryeparlamentari.
Martin J. Uhomoibhi, aktualisht Sekretar Permanent në Ministrin e Jashtme, është prezantuar nga zyra e Pacollit si Ministër i Jashtëm.
Kur Express ka pyetur njerëzit e Pacollit përse Ukomoibhi është prezantuar si kryediplomat i këtij vendi kur ai nuk është i emëruar në një pozitë të tillë, ata kanë kërkuar të dinë pse gazeta “po merret me gjana të tilla”.
Njëri nga shoqëruesit e Pacollit në udhëtimin afrikan, megjithatë, e ka pranuar se Ukomibhi nuk është Ministër i Jashtëm i Nigerisë.
“Ky është njeriu që po u bojke Ministër, domethënë nga pozita e ushtruesit po kalojke në Ministër tash, po flitet këtu kështu. I kam gazetat këtu, është kandidati numër një që do të emërohet nga Presidenti në këtë pozicion. Zyrtarisht nuk ka marrë nominim”, ka thënë bashkëpunëtori i Pacollit.
Ai ka vazhduar shpjegimin duke insistuar se Uhomoibhi megjithatë është Ministër i plotfuqishëm.
“Qeveria e Nigerisë është emëruar më 19 maj 2011. Këta janë në proces të emërimit të gjithë kabinetit. Ministri i Punëve të Jashtme i tanishëm është Martin Uhomibhi, do të thotë personi që është në foto. Ky person ka qenë Sekretar i Përgjithshëm. Mirëpo, ky personi në mungesë të Ministrit që dy-tre muaj është duke e ushtruar funksionin e Ministrit Punëve të Jashtme, sepse këtu kur mungon Ministri, postin e ushtron Sekretari i Përgjithshëm”, ka thënë ai.
Në ueb faqet e Ministrisë së Jashtme të Nigerisë aktualisht si Ministër i Jashtëm figuron Odein Ajumogobia.
“Dje kur ishim në Ministri të Punëve të Jashtme, këtë që po e përmendni, ai e kishte fotografinë bashkë me fotografitë e ish-ministrave dhe kuptova që ky ka qenë ish-Ministër”.
Pacolli ka takuar edhe Barnaba Gemaden, i cili është prezantuar si Kryeparlamentar i Nigerisë
Për të, bashkëpunëtorët e Pacollit kanë thënë për Express se është Shef i Senatit.
“Ky është në detyrë pasi zgjidhet prej popullit”, ka thënë bashkëpunëtori i Pacollit.
Ndryshe, nga takimet që ka realizuar në Nigeri, Pacolli ka njoftuar se ka marrë premtime për njohjen e pavarësisë.
“Presidenti i Nigerisë z. Goodluck Jonathan ka shprehur gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që Republika e Nigerisë të vendosë sa më shpejt raporte të bashkëpunimit ndërshtetëror me Kosovën, duke theksuar se vendi që ai drejton në një periudhë sa më të shkurtër kohore do të marrë vendim për të njohur shtetësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin që e kanë dërguar njerëzit e Pacollit.