E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo më “Në emër të popullit…..”

Mungesën e aftësive për të arritur kompromisin politika shqiptare ka dashur shpeshherë tia faturojë qytetarëve të këtij vendi. Prej disa ditësh kryetari i partisë më të madhe të opozitës, Edi Rama ka filluar të shprehet me një ton më të zbutur me kundërshtarin e tij. Ky është një fakt për tu përshëndetur dhe kërkush nuk do të dilte kundër kësaj. Por ajo që duhet ti shqetësojë shqiptarët dhe më shumë ato shqiptarë që nuk mendojnë si Z.Rama ka të bëjë me faktin se ai po mundohet që qëllimet e tij politike ti paraqesë si kërkesa të gjithë qyetarëve shqiptarë dhe aq më keq si domosdoshmëri që vendi të ecë përpara.

“Në emër të qytetarëve shqiptarë” , fillon fjalitë Rama. Dhe kjo ka disa ditë që ndodh. Në emër të qyterave i bën thirrje Berishës që të pranojë kërkesat e opozitës , në emër të qytetarëve shqiptarë ai kërkon shtyrjen e zgjedhje, në emër të qytetarëve shqiptarë ai deklaron bojkotin e zgjedhjeve, në emër të qytetarëve ai thotë se fajin e ka shumica. Nuk dihet në fakt pse kryetari i Partisë Socialiste po i duket vetja gjithnjë e më tepër si kryetari i shtetit apo sikur është lideri i shumicës. Por zoti Rama duhet ta dijë shumë mirë se nuk mund të flasë në emër të gjithë qytetarëve. Ai duhet ta dijë shumë mirë se jo të gjithë shqiptarët janë në një mendim me të, për të mos thënë se shumica mendojnë kundër tij. Ai nuk është gjë tjetër vetëm përfaqësues i vullnetit politik të një pjese të qytetarëve dhe që kjo pjesë në 3 korrik doli se ishte pakicë.

Pra kjo është një arsye më shumë që Rama të mos ia faturojë qytetarëve kërkesat e tij politike. Është më se e qartë se shqiptarët nuk duan kthim mbrapa, është e qartë se shqiptarët nuk janë pro bojkotit të zgjedhjeve që do të çonte vendin më mbrapa në kuadër të proçesit të integrimit, është më se e qartë se shqiptarët janë kundër çdo hapi apo veprimi politik që do të vonojë lëvizjen e tyre të lirë në Bashkimin Evropian, dhe është më se e qartë se shqiptarët janë kundër veprimeve politike që do të destabilizonin politikën dhe të sillnin kaosin. Shumë lehtë dikush, që është kundër atyre që deklaron Z. Rama të thotë se “ unë nuk mendoj si ju Z.Rama”.

“Pra Z. Rama edhe unë jam qytetar dhe nuk dua që ju të flisni në emrin tim, unë nuk mendoj si ju dhe nuk jam dakort me ato që thoni ju. Kështu që ju nuk të flisni në emrin tim dhe në këtë mënyrë të abuzoni me atë çka dua apo nuk dua unë”. Kjo shprehje të kujton fare mirë parrullën famëkeqe të komunizmit ku, krimet apo abuzimet e pushtetarëve të atëhershëm, i faturoheshin popullit. Në emër të popullit dënoheshin njerëz, në emër të popullit bëheshin krime dhe me siguri që populli ose nuk dinte gjë fare për këto ose në shumicën e rasteve nuk ishte dakort me to. Pra demagogjia e asaj kohe ku ambicjet e shfrenuara të politikanëve dhe pushtetarëve, realizoheshin “ në emër të Popullit”, duket se janë trashëguar edhe nga klasa politike aktule.

Për të qënë i sinqertë nga kjo sëmundje vuan jo vetëm kryetari i Partisë Socialiste po edhe politikanët nga e djathta dhe veçanrësisht, Z. Berisha. Por ajo çka e bën më të ligjshëm referencën në emër të qytetarëve tek , Z. Berisha është se ai për momentin qeveris me vullnetin e shumicës së qyutetarëve. Dhe rregulli më elementar i demokracisë është që shumica qeveris vendin dhe gjithë qytarët, qofsin këta mbështetës të saj apo dhe kundërshtarë. Këtu nuk dua të thellohem në rolin e opozitës në një shoqëri demokratike dhe pluraliste pasi kjo është mëse e qartë tashmë. Por ajo çka duhet të ndryshojë një herë e mirë tek politikanët shqiptarë është mënyra sesi ata abuzojnë me vullnetin e sovranit dhe me kërkesat e tij.

Duhet që një herë e mirë paaftësia dhe interesat e ngushta personale të politikanëve të mos përligjen duke i parashtruar si interesa të gjithë qytetarëve të vendit. Pra e thënë më thjeshtë, parulla e vjetër komuniste me të cilën dikur bëhej kërdina, nuk pin më ujë dhe aq më keq i vë në pozicion qesharak ata që e përdorin. Jo më “ në emër të Popullit” zotërinj politikanë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›