E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo më falas

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi e vizitoi Filarmoninë e Kosovës, me ç’rast, përpos që premtoi mbështetje të mëtejshme, ai qe i pari që e bleu biletën për koncertin e fundvitit.

Edhe pse objekti ku ndodhet Filarmonia e Kosovës nuk është më shumë se 20 metra larg Ministrisë së Kulturës, ministri Memli Krasniqi rreth 15 minuta e la duke pritur drejtorin e Filarmonisë Baki Jasharin. Por, megjithëkëtë, Jashari nuk dukej i hidhëruar pasi që Ministria e Kulturës e kishte rinovuar objektin e Filarmonisë dhe po ashtu ministri Krasniqi do të blinte, i pari, biletën për koncertin e fundvitit të Filarmonisë, që do të mbahet më 26 dhjetor. Rinovimi i brendshëm i objektit të Filarmonisë përfshin rregullimin e parketit, ndriçimin, instalimin elektrik, lyerjen e mureve dhe përforcimin e dritareve.

Duke e falënderuar ministrin për ndihmën e dhënë për renovimin e brendshëm të objektit të Filarmonisë dhe angazhimin e tij për përmirësimin e kushteve për punë të muzicientëve, Jashari u shpreh se ky vit karakterizohet për disa ndryshime jashtëzakonisht të rëndësishme për ta.

“Këtu përmendet rregullorja e cila përfundimisht e rregullon statusin e punonjësve të kulturës, për çka e falënderojmë ministrin që në mënyrë intensive ka punuar në këtë drejtim”, tha Jashari.

Ai bëri të ditur se gjatë vitit të ardhshëm adhuruesit e muzikës klasike duhet të paguajnë nga tri euro për të shijuar koncertet e Filarmonisë së Kosovës. Në fakt, edhe koncerti i fundvitit do të jetë me pagesë, jo tri por pesë euro. E i pari që e bleu biletën për këtë koncert qe askush tjetër pos ministrit të kulturës. Drejtori Jashari gjithashtu e shprehu mendimin për nevojën që Filarmonia në të ardhmen të ketë një objekt të vetin, i cili do të plotësonte kushtet e nevojshme për punë.

Në anën tjetër, ministri Krasniqi e vlerësoi Filarmoninë si një ndër institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe të shtetit tonë dhe u shpreh se ky institucion e meriton një trajtim më dinjitoz. Krasniqi shtoi se renovimi i brendshëm është një zgjidhje e mirë dhe plotëson sadopak kushtet bazike për punë.

“Ka qenë një renovim i domosdoshëm dhe i vonuar, që i plotëson vetëm kushtet bazike, pasi nuk janë optimale për një filarmoni shtetërore. Ne do të shikojmë mundësitë që ta përmirësojmë gjithë ambientin. Për Filarmoninë do të duhej të ishte objekti i Operës dhe Baletit. Ne kemi marrë raportin final të revidimit të projektit, i cili ka gjetur mangësi të shumta në projektin origjinal dhe besojmë se që nga janari do të angazhohemi për t’i dhënë një drejtim realizimit të këtij projekti kapital për kulturën por edhe për shtetin dhe varësisht nga mundësitë dhe hapësira kohore për këtë projekt do të punojmë në përmirësimin e kushteve dhe trajtimin dinjitoz të artistëve”, u shpreh ministri Krasniqi.

Ai nuk la pa përmendur edhe miratimin dhe zbatimin e rregullores për gradimin dhe pagat e performuesve dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, që përfundimisht ka siguruar kontrata të rregullta dhe paga më të mëdha për të gjithë krijuesit dhe performuesit.

Ai i premtoi drejtorit të Filarmonisë se për vitin 2012 Filarmonia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e kulturës do ta kenë buxhetin më të madh se sa që e kanë pasur këtë vit. “Tashmë që buxheti është miratuar, me kënaqësi e them që kemi arritur të tejkalojmë planifikimet dhe kemi një buxhet prej 18.2 milionë eurove, një rritje e paimagjinueshme për MKRS-në. Natyrisht ne kemi një portofol të gjerë, kulturën, sportin, trashëgiminë kulturore dhe rininë dhe në këtë drejtim shpërndarja do të trajtojë të gjithë. Buxheti për kulturën është rritur dukshëm. Në total kemi planifikuar një rritje për institucionet së paku për 20 për qind krahasuar me vitin 2011 dhe gjithashtu edhe Filarmonia do ta ketë buxhetin me rritje”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se në janar do të definohet buxheti final për secilin nga institucionet. Por, shtoi se edhe në rishikim të buxhetit të Kosovës do të mundohet të marrë buxhet shtesë për mbështetje të institucioneve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›