E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heynckes, sekreti i Riberys

Ylli i Bayern Munichut, Franck Ribery thotë se është kthyer në formën e tij më të mirë falë punës me trajnerin Juup Heynckes. Mesfushori francez ka realizuar dhjetë gola dhe ka bërë njëmbëdhjetë asistime në 25 ndeshje të këtij sezoni. Ai synon të rimbushë bateritë gjatë pushimit dimëror e më pas të vazhdojë aty ku e ka lënë.

Ylli i Bayern Munichut, Franck Ribery ka bërë të ditur se është kthyer në formën e tij më të mirë falë punës me trajnerin Juup Heynckes, i cili mori drejtimin e ekipit në fillim të këtij sezoni.

Bayern përfundoi në pozitën e tretë në Bundesligë sezonin e kaluar me holandezin Louis van Gaal, por pas ardhjes së Heynckesit, gjiganti bavarez ka gjetur fitoret që e kanë dërguar aktualisht në krye të Bundesligës dhe kualifikuar për 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Ribery ka luajtur rol të rëndësishëm deri më tani gjatë këtij edicioni, duke realizuar dhjetë gola dhe njëmbëdhjetë asistime në vetëm 25 paraqitje. Reprezentuesi francez pranon se Heynckes ka luajtur rol të rëndësishëm në rikthimin e tij në formë. “Ndihem mirë si më parë me (ish trajnerin Ottmar) Hitzfeld”, tha Ribery për ueb faqen zyrtare të Bayernit.

“Juup Heynckes është trajner i cili më kupton dhe më jep liri të bëj atë që dua me top. Heynckes është pothuajse baba për mua”, shtoi ai. Sezoni i Bayernit vazhdon më 21 janar, kurse Ribery synon të shfrytëzojë pushimin nga futbolli dhe rimbush bateritë para asaj që pritet të jetë një pjesë e dytë e nxehtë e sezonit.

“Do të kaloj festat e fundvitit me familjen time”, theksoi Ribery para se të tregojë se do të shkojë në qytetin e tij të lindjes Boulogne.

“Edhe atje është shumë ftohtë, por është me rëndësi të jam së bashku me familjen time në mënyrë që të festojmë dhe qeshim, mund të pastroj kokën dhe të rikuperohem fizikisht”.

Derisa Ribery lavdëroi trajnerin e tij, Heynckes ka pranuar se pret më tepër nga francezi.

“Ai është futbollist të cilin di si ta motivoj. Por, edhe ai e di si të më shpaguajë besimin në stërvitje dhe gjatë ndeshjeve. I kam thënë se me klasin e tij ai duhet të shënojë më shpesh. Nganjëherë duhet të jetë më vetjak”, tha Heynckess.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›