E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jo në emrin tim”, nata e 18-të me të njëjtën kërkesë: Miratoni ndryshimet në Ligjin për Specialen

PRISHTINË, 3 tetor /ATSH/ Edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë u mbajt protesta “Jo në emrin tim” kundër aktgjykimit dënues ndaj drejtuesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Kërkesa jonë e 18 ditë, identiteti ynë kombëtar sot ndodhet në tavolinën e këtij Kuvendi. Gjaku i dëshmorëve, UÇK-ja sot është në tavolinën e këtij kuvendi. Ne sot kemi ardhur këtu për t’u thënë votojeni ligjin. Nuk do të mundin ta vendosin këtë ligj në bankën rezervë të politikës për politikat e tyre ditore e për pazare për president. Nuk do të ketë Kosova president të zgjedhur në krah të UÇK-së”, tha organizatori, Çlirim Haziri.

Edhe në këtë protestë ishte një pjesëmarrje masive e qytetarëve. Binte në sy pjesëmarrja posaçërisht e madhe e brezit të ri, madje shumë djemve dhe vajzave që kanë lindur pas luftës në Kosovë.

Ishte protesta e 18-të, që nisi të organizohej nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale në Hagë shpalli vendimin që shkaktoi valë reagimesh.

Protestuesit po kërkojnë miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

Protesta e sontme po mbahet pasi Qeveria e Kosovës vlerësoi mbrëmë në orë të vona se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›