E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo politikan, më shumë se kaq

Nga Fiona Kruja

Dekalogu i propozuar nga Edi Rama është analizuar fije për fije nga çdokush që mendon se i ngjit fjala në opinionin publik. E meqenëse me publik nënkuptojmë jo domosdoshmërisht miliona, por edhe pak më shumë se dy vetë, secili ka të drejtë të japë opinionin e tij. Ajo që të rezulton nga e gjithë analiza, është fakti se e gjithë përmbajtja e dekalogut, më shumë se sa 10 pikat apo edhe modalitetet për realizimin e tyre, është fryma. Fryma e bashkëpunimit për të çuar përpara një proces. Një proces që ka vite që është nisur dhe gjithashtu kërkon vite të përparojë, pa sa për finalizim, as që mund të bëhet fjalë. Ajo që vihet re tek mazhoranca është indiferenca, madje inati se përse ky dekalog nuk u erdhi ndonjë javë më parë. Pa ndonjë nxitim në mbështetje të akuzë së radhës se, le të themi, Kryeministrit nuk i intereson integrimi, synimin e tij le ta marrim për të mirëqenë, njëlloj me atë të shumicës së shqiptarëve, madje pa iu futur pluseve dhe minuseve reale që janë bashkëshoqëruese normale të këtij procesi për çdo vend dhe çdo popull. Ajo që të befason është sensi i kundërt me ngulmimin e vetëm dy apo tre ditëve më parë. Dyshimi më i parë është, nëse 12 Tetori duhej pritur si datë për marrje përgjegjësish apo si ditë kurorëzimi, thënë ndryshe, si gur i rëndë pendese apo si medalje fluturake për mrekullinë qeverisëse shqiptare. Këtu fillojnë e ndahen rrugët, karakteret, filozofitë e dy kryepolitikanëve që kanë momentalisht tagrin politik, moral dhe material për të vendosur për të ardhmen. Pakti Rama frymëzon përgjegjësinë, përulësinë, ndëshkueshmërinë, balancimin funksional jopartiak të institucioneve të pavarura të shtetit, anti-pakti memec i tjetrit dëshmon se zotëria nuk han pykë dhe me shkumë në gojë vazhdon marshimin e madh për të kapërcyer çdo pengesë, qoftë edhe apolitike, që bjerr pushtet blu, me ëndrrën e medaljes që e pret në një finish pa finish. Rama përcakton një mision, duke qenë i bindur se nuk mjafton jo ky kryeministër, por as Rama vetë dhe as shumë të tjerë pas tij që do ti vënë kapak korrupsionit, kapjes së shtetit, vrasjeve alla kokën ose tokën apo pronën ose nonën, Berisha hap e mbyll një fushatë korrje shirjesh të radhës për të mbushur magjen e oborrit, pas së cilës kombajna e sistemit shitet apo braktiset për skrap në Komisionin e Venecias. Dhe si gjithmonë, kur shihet gishti dhe jo hëna, kori blu buçet: Rama nuk është politikan, Berisha po! Ça tu thuash?

Eh, çi kemi punuar për 50 vjet rresht At Gjergj Fishtës, teksa të budallepsur qesëndiseshim si krrap a krrapushe Shkodre, sa herë që mësuesi i letërsisë na çekaniste mbi kokë të famshmet vargje le ta dijë bota mbarë, sot e tutje sjam shqiptar. Jashtë çdo lloj konteksti merrnim për të mirëqenë antishqiptarinë e gjigandit, a thua se patrioti, akademiku, kleriku dhe mjeshtri i madh i fjalës nuk kish ditur të thosh aspak më shumë se unë ha, unë pi. Me këtë varg të gjithë të gajaseshim, pa na e bërë syri tërr, për llupësin a grykësin më të madh të këtyre trojeve, sikur ai të kish qenë asgjë më tepër se një qen kasapi italian.

Por historia përsëriteshka, duke injoruar leksionet e hidhura. Unë nuk jam politikan, na paskësh thënë dikur ai artisti i gjatë, dhe nuk ka mbetur xhuxh e xhuxhmaxhuxh i atij zanati që ne i themi politikë, pa ia përplasur e ripërplasur në fytyrë, a thua se mjeshtri i fjalës publike, piktori, sportisti, e mbi të gjitha, qytetari artist me rrënjë e me degë i këtij vendi, u ka pakësuar ajrin që përthithin a rrezen e diellit ku shullohen. Janë gati ta shpallin më të rrezikshëm se gropa e Ozonit! Jo, vetëm dy politikanë ka Shqipëria. Kështu referojnë të ketë thënë edhe një ambasador. Sikur Arvizusë të mos i kish mjaftuar belaja që kabllogramat i kanë plasur në këmbë, atij dhe të barabartëve apo shefave të tij në Washington (më së shumti për komplekse njerëzore konfidencialiteti komunikativ, aspak për mosvazhdimësi misioni), edhe deklaratat e tij më të sheqerosura diplomatike alla mjalt për të tërë oreee, përsëri nxirren jashtë konteksti, njëlloj si për ti vënë vulën gjithë asaj rropame që sillet si shtjellë hurikani rreth Edi Ramës, atij të gjatit që nuk din të vijë në pushtet, që nuk din të ruajë votat, që nuk din të mbledhë bashkë edhe ujkun edhe qengjin, që nuk din, nuk din , nuk din, të jetë as Noeja me arkën shpëtimtare për të na ngritur atje ku nuk na rrokin as mëkatet e instinkti bazik.

Harrojmë se qytetari Edi ka ligjëruar kumbueshëm dhe tronditur politikën, kur të gjithë papagajtë e sotëm ia dëgjonin zërin mu si ata të deklasuarit e dhjaksur e romaneve të Kadaresë. Harrojmë se Edi ka dëshmuar se din të bëjë gjithçka, edhe duke filluar të bëjë vetëm diçka, të rëndomtë madje, sikurse ishte lyerja fëminore e ca llamarinave mu aty përballë Kryeministrisë. Që andej nga e shikonte me qesëndi një dembel-hëne, ai politikani me syze apo lente, i cili e apelonte cinikisht si Kryebashkiu. E pra, në ka njeri që e ka gjetur çdo gjë qyl në këtë merkaton tonë politike, ai është pikërisht shakaxhiu, politikani i madh që gjithmonë ka folur si e ëma e Zeqos, qoftë si zog puplapadirsur nga kotec-burgu i marksizëm-leninizmit, qoftë si pulë e rrjepur nga hall-burgu i Bënçës, qoftë edhe si këndez simfonik nga qejf-burgu i Vjenës. Ai, i ikuri me lugë që nuk resht së kthyeri me garuzhde në brez, për revanshin e radhës mbi atë, mosmirënjohësin që nuk është politikan.

Aaa, qorri dhe horri janë politikanë, vetëm dy politikanë ka Shqipëria, Nano-Berisha! Ky i fundit, mjeshtër fare biles. Në fakt, edhe në anglisht njëlloj i thonë, son of the bitch. Ndryshimi ndodh vetëm tek në përkthim: të parin e quajmë bir kurve, të dytin shejtan budalla.

I pari, biri i kurvës instaloi në Shqipëri papërgjegjshmërinë dhe sistemin e korrupsionit më endemik që ka patur ndonjëherë ky vend. I dyti, shejtan budallai, ia ka falur shtetin krimit shtetëror dhe mafias, në rastin më fatlum, duke bërë sikur nuk e kupton as vetë se lojën e kujt bën, mjaft që llogaritë e oborrit të konkurrojnë e mbikalojnë edhe ato të mikut të tij qejfli matanë Adriatikut, i cili së paku është në teh të thikës, pavarësisht radhitjes tek lista Forbes.

Mirë mirë, po ky i gjati nuk është politikan, e ka thënë vetë, nuk e ke dëgjuar? Po or po, e kam dëgjuar, por pavarësisht se e thonë xhuxhmaxhuxhët, do të bija dakort me ta dhe gjithkënd që e thotë. Vetëm se, duke u lutur që, politikanë si ata dy të parët, mos i pastë as hasmi! Jo për gjë, por tani na duhet që edhe me hasmin të bashkëintegrohemi në Europë.

Si ju që vetëm bëni ham-ham/kurrë mos qofsha politikan. Kështu më shqipërohet ajo thënia e Edit nuk jam politikan. Po, ai nuk është politikan, është shumë më shumë se kaq. Ai është më shumë se politikan, pikërisht se nuk din të vijë në pushtet me vota të vjedhura. Ai është më shumë se politikan, pikërisht se din ti rezistojë prapashpinave të të tijëve që vezën e bëjnë këtu, ndërsa kakarisjen kuturu. Ai është më shumë se politikan, pikërisht se ndonëse fitoren ia grabitën në tavolinë, nuk mungon të propozojë pakte për bashkëjetesë politike dhe balanca shtetndërtuese. Më së paku, Edi është më shumë se politikan, pikërisht se Tiranën e konceptoi, ngjyrosi, pemëzoi, shtroi dhe ndriçoi si artist, edhe në ato rrugica baltovina, ku hidhnin valle lugetërit. Ai është më shumë se kaq, pikërisht se mbetet ndryshe dhe i pakushtëzuar nga ata që i thonë vetes politikanë. Dekalogu po pret. Edhe 12-të pikëshi. Hidhuni, nëse jeni politikanë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›