Sa vlen jeta në vetvete?
Krimi brenda familjes është kthyer më keq se kurrë. Në Shkodër babai ka vrarë me armë zjarri djalin e tij 27-vjeçar. ngjarja tronditëse ka ndodhur dje në banesën e familjes Lula, ku pas një debati Marashi ka qëlluar me çifte të birin Edmondin 27-vjeç duke e lënë të vdekur në vend. Nga dëshmitë e para mësohet se i ati i viktimës, ishte i alkoolizuar prej vitesh dhe kjo kishte çuar edhe në debate të herë pas hershme mes tyre. Policia ka mundur të arrestojë babain vrasës, ndërkohë që motivet që e shtynë atë të vrasë djalin mbeten ende të paqarta.
Jo të paqarta janë “arsyet” që çuan shtetasin Kreshnik S., 27 vjeç ka vrarë me armë të fejuarën e tij shtatzënë 22-vjecaren Marsida H., e më pas ka qëlluar edhe veten me të njëjtën pistoletë. Çifti kish 7 muaj të fejuar, ndërkohë që 22-vjecarja ishte në muajin e 3-të të shtatzënisë. Sipas familjarëve të vajzës, mes tyre ka pasur konflikte prej disa ditësh, pikërisht prej shtatzënisë së saj. Djali i ka kërkuar asaj vazhdimisht që të abortonte fëmijën, ndërsa shtojnë se kohët e fundit kishte dashur edhe të ndahej prej saj.
Kuptohet vetiu që të dy ngjarjet janë të rënda, të rëndomta sepse tragjedi të tilla ndodhin në të gjithë botën, dhe ne jeni dëshmitarë të kësaj nga që informacioni sot është i gjithanshëm. Mirëpo specifika e ngjarjes së dytë është presioni i ushtruar për të abortuar jetën e fëmijës. Afërmendsh një njeri që mendon të abortojë ose të ushtrojë dhunë fizike apo/dhe psikologjike mbi një femër për ta detyruar atë t’i japë fund të parakohshëm shtatzënisë, vetiu se ka për gjë ta vrasë, dhe të vritet. Janë situata të tendosura në ekstrem, pa ndonjë perspektivë pritshmërie, që përfundojnë një krim të cilësuar si brenda familjes. Shpesh, gratë janë të rrezikuara pikërisht aty ku duhet të jenë më të mbrojtura, aty ku ato presin siguri, dashuri dhe mbështetje, në familje. Realiteti po dëshmon për ditë se familja është kthyer edhe vendi ku rrezikohet jeta.
Megjithatë dhuna brenda katër mureve është një dukuri e përhapur jo vetën në një vend të vogël si Shqipëria, por kudo në botë. Natyrisht si vend ballkanik, Shqipëria e ka përjetuar dhunën në familje të ligjëruar edhe nga zakonet e trashëguara, të shkruara e të pashkruara, të vendit. Në rastin e vendit tonë është e nevojshme të kemi parasysh edhe ndikimin e fuqishëm të kulturave të mbartura nga pushtuesit e ardhur nga Orienti, me ligjet dhe doket e tyre, të cilat për shekuj me radhë ngushtuan hapësirat e zhvillimit shoqëror duke ndërprerë edhe kontaktet me Perëndimin. Sigurisht pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve të komunizmi, problemi qëndronte i maskuar, i heshtur domethënë i eliminuar, edhe pse shpeshherë i mprehtë.
Sidoqoftë dhuna ndaj brenda familjes është mjaft komplekse, që ngërthen në vetvete disa anë të mprehta të zhvillimit social në vendin tonë. Në të shumtën e raste makabre është rezultat i pabarazisë midis burrit e gruas dhe dëshmon për një diskriminim serioz. Por, njëherësh, niveli dhe ashpërsia e saj lidhen edhe me traditat patriarkale të familjes, të zonës etj., të cilat krijojnë opinionin shoqëror për veprimin, justifikimin dhe mistifikimin e saj si ushtrim i autoritetit, i së drejtës së mashkullit të familjes për të ndëshkuar.
Rasti i sipërpërmendur ka pak a shumë tiparet e ushtrimit të dhunës ku gërshetohet me shpërfillje ndaj gruas si qenie njerëzore me epërsinë materiale të burrit që, në fund të fundit, mbështeten në prepotencë e që nuk arrijnë të kuptojnë harmoninë dhe mirëkuptimin, si vlera të vërteta të një familjeje bashkëkohore.