E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Joe Biden: Pandemia e Covid-19 në SHBA ka përfunduar! Fauci: Nuk jemi ende aty ku duhet, do shfaqen variante të tjera

Presidenti Joe Biden e ka shpallur pandeminë në SHBA të përfunduar, ndonëse numri i amerikanëve që kanë ndërruar jetë nga Covid vazhdon të rritet. Biden tha se SHBA po bëjnë ende “shumë punë” për të kontrolluar virusin. “Nëse vini re, askush nuk mban maska. Të gjithë duket se janë në formë mjaft të mirë… Mendoj se po ndryshon”, tha ai.

Të dhënat nga Universiteti Johns Hopkins tregojnë se mesatarja shtatë-ditore e vdekjeve aktualisht është mbi 400. Në janar 2021, për krahasim, më shumë se 23,000 njerëz u raportuan të vdekur nga virusi gjatë një periudhe të vetme javore. Rreth 65% e popullsisë totale të SHBA-së konsiderohet plotësisht e vaksinuar.

Zyrtarët e shëndetit publik kanë shprehur optimizëm të kujdesshëm në javët e fundit se bota po shkon drejt një rikuperimi pandemik, por vazhdojnë t’i nxisin njerëzit të jenë të kujdesshëm.

Më 19 shtator, Dr Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, pranoi se situata ishte përmirësuar. Ai paralajmëroi se variante të reja Covid-19 mund të shfaqen ende, veçanërisht në muajt e ardhshëm të dimrit. “Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi nëse do të jemi në gjendje të ‘jetojmë me virusin’”, tha Dr Fauci.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›