Joe Biden vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, takohet me mbretin Salman

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Arabinë Saudite ku po bisedon mbi energjinë, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbi të gjitha të drejtat e njeriut, temë shumë delikate në një vënd të cilësuar më parë nga Biden si i padëshiruar në arenën ndërkombëtare.
Interesat energjitike dhe të sigurisë nxitën vendimin e presidentit dhe këshilltarëve të tij për të mos ta izoluar vendin që është eksportuesi kryesor i naftës dhe një fuqi e madhe rajonale, që së fundmi ka forcuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën.
Biden në orën 16 30 të ditës së premte ka zhvilluar një takim dypalësh me mbretin saudit Salman bin Abdulaziz në pallatin mbretëror në Xhedah. më pas presidenti dhe ekipi i tij u drejtuan për një takim pune me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe një numër ministrash sauditë.
Presidenti amerikan do të diskutojë me udhëheqësit e prodhuesve të naftës në Gjirin Persik dhe shpreson të shohë më shumë veprime nga OPEC-u për të rritur prodhimin, por këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve se nuk kishte gjasa të kishte ndonjë njoftim dypalësh nga bisedimet. Udhëtimi i Biden po ndiqet me vëmendje dhe do të vërë në provë aftësinë e tij për të rivendosur marrëdhëniet me princin e fuqishëm të kurorës të Arabisë Saudite.
/rtsh/