John Kerry: Izraeli e Palestina dakordohen për vazhdimin e bisedimeve

Izraeli dhe Palestina kanë rënë dakord me të cilin vendoset baza për vazhdimin e bisedimeve paqësore, njoftoi sonte sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
Si transmeton BBC, ai është takuar në Jordani me të dy palët. Kerry nuk ka bërë të ditur detajet e marrëveshjes, por ka thënë se të dy palët do t’i vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme në Washington.
Raundi i fundit i negociatave direkte pati përfunduar pa sukses para dy vjetëve për arsye të çështjes së ndërtimit të vendbanimeve izraelite në territorin e Palestinës. Kerry iu ka thënë gazetarëve në Aman se të dy palët “kanë arritur ujdi me të cilën vihet baza për vazhdimin e negociatave direkt ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve”.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Kerry, por theksoi se edhe më tutje “është në procesin e formalizimit”.
Kreu i ekipit negociator palestinez Saeb Erekat, dhe kolegu i tij izraelit, Tzipi Livni do të udhëtojnë për në Washington javën e ardhshme.
Sipas Kerryt, “mënyra më e mirë që këtyre negociatave t’iu jepet shansi për sukses është që ato të mbahen në privatësi”. Sekretari amerikan falënderoi edhe Ligën Arabe, e cila të enjten mbështeti planin e tij për vazhdimin e negociatave./Indeksonline/