Jole: Akset që lidhin Korçën me zonat malore, të gjitha të kalueshme

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole ka inspektuar sot një nga zonat më të thella të këtij qarku, aksin Shtyllë-Panarit të njësisë administrative Vithkuq. Së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Qendër-Lindje, Ardit Mele, Jole ka vizituar Mashkullorën, ku lartësia nga niveli i detit arrin në 1750 m.
Prefekti i Korçës bëri të ditur se, strukturat e Emergjencave Civile në Bashkinë Korçë kanë marrë masat dhe punojnë në vazhdimësi për heqjen e dëborës nga rruga si dhe për kriposjen e saj.
“Akset që lidhin qytetin e Korçës me zonat malore janë të gjitha të kalueshme, megjithatë drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes të shtuar e të pajisen me goma dimërore e zinxhirë, kur udhëtojnë drejt këtyre zonave me prani të lartë dëbore”, u shpreh Nertil Jole, në rrjetet sociale.
Ai shtoi se, çdo segment tjetër mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti Rrugor Qendër-Lindje dhe Policia e Qarkullimit Rrugor.
1 nga 5/r.e//a.f*