Mashtrim me call center, dy të arrestuar dhe tre të tjerë nën hetim

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot arrestimin e dy personave dhe vendosjen nën hetim të tre personave të tjerë. Akuza ndaj tyre lidhet me mashtrimin përmes qendrave “call center”.
Nga hetimet ka lindur dyshimi se të ndaluarit mashtronin e shtetasit e huaj, duke i nxitur të investonin në faqen “Coin Tracking” , ku më pas përvetësonin paratë e investuara.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe të mirëorganizuar finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Promise”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: O. P., 22 vjeç, banues në Tiranë, pronar i një subjekti call center; E. M., 25 vjeç, administrator i një subjekti call center”, njofton Policia e Tiranës.
Policia njofton se, “në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë shtetaset J.B, 36 vjeçe, S.Gj, 27 vjeçe, dhe Xh.M, 30 vjeçe, të punësuar si operatore në këtë subjekt.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E.M, 25 vjeç, administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin E.M., në rrugën e Dibrës. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuar si operatorë shtetaset e lartpërmendura, të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, dhe u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në faqen “Coin Tracking” faqe kjo ku gjendeshin fondet që ishin rekuperuar.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celularë dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive”, përfundon njoftimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/a.f/r.e/