E Martë, 3 Nëntor 2026

Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm një vatër zjarri aktive

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Në qarkun e Korçës ka vetëm një vatër zjarri aktive.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole u shpreh sot se nga informacioni më i përditësuar, situata e zjarrit të rënë në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës prej datës 11 gusht, paraqitet relativisht më e qetë sot, por ende ka prezencë aktive të zjarrit (pikat e kuqe në hartë).

“Në terren sot janë organizuar rreth 65 forca nga MZSH, AdZM, policia kufitare, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë të zonës, të mbështetur nga 35 forca të ushtrisë. Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro tre orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur dhe duhet shumë kujdes sepse zona ka edhe municione”, theksoi ai.

Jole shtoi se, po punohet prej gjashtë ditësh për të penguar sa është e mundur depërtimin brenda kurorës zonë të mbrojtur.

“Strukturat vendore janë në komunikim edhe me palën greke, për të koordinuar veprimet, duke shpresuar se ditën e sotme situata do të përmirësohet akoma më shumë”, theksoi ai.

Jole ripërsëritu apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t’u neutralizuar.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›