KOMENT – Liderët evropianë në video-konferencë përpara takimit Trump-Zelensky

BERLIN, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Në prag të takimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Uashington, udhëheqësit evropianë planifikojnë të zhvillojnë sot konsultime, në një përpjekje për të ndikuar në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kancelari gjerman Friedrich Merz do të thërrasin një video-konferencë të të ashtuquajturit Koalicioni i të Vullnetshmëve në orën 13:00 GMT.
Koalicioni është një grupim i lirshëm kombesh që mbështesin Kievin kundër pushtimit të plotë të Rusisë të nisur në shkurt 2022.
Diskutimet vijnë pas samitit të profilit të lartë të së premtes në Alaska midis Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Pavarësisht pritjes së ngrohtë të Trump për udhëheqësin e Kremlinit, takimi nuk prodhoi ndonjë përparim në ndalimin e luftës.
Pozicioni i Trump mbi konfliktin ka ndryshuar ndjeshëm duke fajësuar herë pas here Ukrainën për pushtimin, ndërsa në momente të tjera duke kërcënuar Moskën me masa ndëshkuese nëse përparimi drejt një armëpushimi ngec.
Të shtunën, ai i tha ”Fox News” se ”Ukraina duhej të bënte një marrëveshje me Rusinë sepse Rusia është një fuqi shumë e madhe dhe ata nuk janë”.
Kryeqytetet evropiane, të kujdesshme se mos lihen mënjanë, kanë bërë presion për të siguruar që pikëpamjet e tyre – dhe të Kievit – të mos përjashtohen nga dialogu SHBA-Rusi që mund të formësojë sigurinë afatgjatë të Evropës.
Udhëheqësit evropianë kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm si një hap të parë drejt paqes, kanë kërkuar garanci të detyrueshme sigurie për Ukrainën dhe e kanë paralajmëruar Trumpin të mos i besojë sigurimeve të Putinit.
Zelensky, i cili nuk ishte i ftuar në samitin Trump-Putin, është planifikuar të takohet me Trumpin në Uashington të hënën.
Ai ka këmbëngulur që Ukraina duhet të përfshihet në të gjitha negociatat rreth të ardhmes së saj, veçanërisht çështjeve territoriale.
Media amerikane raportoi pas samitit të së premtes se Putini kërkoi kontroll të plotë të rajoneve të pushtuara lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk./ a.jor.