Jolie nderohet me çmimin Zemra e Sarajevës
Angelina Jolie ka marrë pjesë në ceremoninë e mbylljes së festivalit tetë-ditor të Filmit në Sarajevë, ku edhe ka marrë nga organizatorët një çmim të veçantë për tërheqjen e vëmendjes për refugjatët e Bosnjës së luftës 1992-1995.
Çmimi i quajtur, Zemra e Sarajevës i është dorëzuar Joliet nga drejtori i festivalit, Miro Purivatra, transmeton REL.
Ai tha se çmimi i është dhënë asaj për ndikimin e madh në industrinë e filmit, por po ashtu edhe për këmbënguljen e saj në angazhimin në çështjet komplekse në jetën reale në të cilën jetojmë.
Jolie ka vizituar Bosnjën disa herë në vitin e kaluar si ambasadore e UNHCR-së dhe ka tërhequr vërejtjen për gjendjen e 117 mijë njerëzve që ende nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre edhe pas 16 vjet të përfundimit të luftës. E shoqëruar nga Brad Pitt ajo ka vizituar disa kampe të refugjatëve.