Ministria e Ekonomisë: Keqardhje për minatorët, por problemet nuk zgjidhen me grevë urie
Ministria e Ekonomisë ka reaguar në lidhe me grevën e urisë të minatorëve të Bulqizës. Ata thonë se greva nuk i zgjidh problemet e tyre. Ministria ka theksuar se ata kanë ndërmarrë disa sanksione ndaj firmës ACR në lidhje me kërkesat e minatorëve.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar pas fillimit të grevës së urisë së 16 minatorëve të minierës së Bulqizës. METE shpreh keqardhjen për gjendjen shëndetësore të minatorëve dhe njëherësh informon minatorët dhe qytetarët e Bulqizës se problematikat e ngritura nga minatorët edhe pse të drejta nuk mund të zgjidhen përmes grevës së urisë por vetëm nëpërmjet dialogut konstruktiv mes palëve. METE, pas takimeve të kryera me përfaqësuesit të sindikatës së minatorëve dhe përfaqësuesit e shoqërisë koncesionare ACR si dhe pas kontrolleve periodike të ushtuara nga institucionet e linjës, ka ndërmarrë disa sanksione në funksion të kërkesave të minatorëve, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në datën 20.07.2011 METE vendosi pezullimin e lejes minerare për shoqërinë koncensionare ACR Albania në zonën D, në Bulqizë si dhe ndalimin e punës të gjithë nënkontraktorëve që operonin në këtë zonë. Ky pezullim do të vazhdojë deri sa të plotësohen mangësitë e konstatuara nga AKBN dhe RISHM-i.
Në datën 27.07.2011 METE vendosi penalizimin e shoqërisë koncensionare Albanian Chrome sh.p.k, në masën 56 milionë lekë, për shkak të mos realizimit të investimeve të parashikuara në program vetëm për vitet 2008-2009 dhe evidentohen mos realizimet për vitin 2010. Ky penalizim duhet të shlyhet brenda 20 ditësh. Në vijim të këtyre masave METE do të vazhdoj punën për zgjidhjen e problemeve, duke nënvizuar se kërkesat ekonomike të minatorëve të Bulqizës realizohen vetëm përmes dialogut, duke mbrojtur investimet e huaja në Shqipëri si dhe duke zbatuar me rigorozitet ligjet.