Jon Hunstman heq dorë zyrtarisht nga gara republikane

Jon Huntsman tha se tërhiqej nga gara, për të mos u bërë pengesë për kandidatin tjetër republikan Mitt Romney, i cili kryeson garën.
Huntsman u bëri thirrje kandidatëve të tjerë republikanë të mos sulmojnë njëri-tjetrin, por t’i ruajnë energjitë e tyre në rrugën për të sfiduar presidentin demokrat, Barack Obama. Përçarja, tha ai, nuk i shërben interesave të vendit.
Njoftimi i Huntsman nënkupton se ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney, është një hap më afër emërimit si kandidati republikan për president.
Huntsman, ashtu si Romney, i përket gjithashtu besimit mormon dhe është konservator i moderuar.
Njoftimi i tij vjen pasi gazeta më e madhe e shtetit të Karolinës së Jugut shprehu mbështetje për kandidaturën e Huntsmanit.
Huntsman kishte vendosur të mos konkurronte në shtetin e parë ku u zhvilluan votimet, Iowa dhe t’i përqendronte forcat në garën e dytë në shtetin New Hampshire. Megjithatë, ai u rendit i treti në New Hampshire, pas Romney-it dhe kongresistit nga Texasi, Ron Paul.
Në garën republikane mbeten tani pesë kandidatë: Romney, Paul, Santorum, Gingrich dhe Perry.