E Diel, 1 Nëntor 2026

Jorida Tabaku: Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë, industria dhe manifaktura në krizë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për krizën që po përjetojnë industria dhe manifaktura shqiptare, duke paralajmëruar se vendi po humbet konkurrueshmërinë përballë ekonomive të rajonit.

Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se integrimi europian nuk duhet parë thjesht si një proces formal anëtarësimi, por si një garë e përditshme për investime të huaja, teknologji, eksporte, vende pune cilësore dhe rritjen e të ardhurave të familjeve shqiptare.

“Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë ndaj vendeve të rajonit  dhe, bashkë me të, garën për këtë shekull”, shprehet deputetja demokrate.

Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, Tabaku evidenton se prodhimi industrial i Shqipërisë gjatë vitit 2025 ishte 15,3% më i ulët krahasuar me vitin 2021. Sipas saj, nga 35 ekonomi europiane, vetëm Ukraina, një vend që ndodhet në luftë, regjistronte një rezultat më të dobët.

Tabaku sjell si shembull Serbinë, e cila gjatë së njëjtës periudhë e ka rritur prodhimin industrial me 8,8%, duke tërhequr fabrika dhe investime në industrinë automotive, pajisjet elektrike dhe prodhimin e pjesëve të këmbimit për tregun europian.

Një nga goditjet kryesore për prodhuesit shqiptarë, sipas saj, ka ardhur nga zhvlerësimi i euros. Eksportuesit i sigurojnë të ardhurat në euro, ndërkohë që pagat, energjinë dhe kostot e tjera i paguajnë në lekë.

Kjo situatë ka prekur veçanërisht sektorin fason, nga i cili varen drejtpërdrejt mbi 130 mijë familje, por pasojat janë shtrirë në të gjithë industrinë përpunuese dhe manifakturën shqiptare.

Deputetja e PD-së argumenton se turizmi dhe ndërtimi mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike, por nuk mund të mbeten motorët e vetëm të zhvillimit. Sipas saj, një ekonomi moderne duhet të prodhojë, të përpunojë, të eksportojë dhe të investojë në teknologji.

Tabaku kritikon gjithashtu mungesën e një strategjie serioze për industrinë automotive, duke kujtuar se propozimeve të saj për zhvillimin e këtij sektori qeveria iu përgjigj me projektin e një piste të Formula 1 në Elbasan.

“Pista nuk zëvendëson industrinë. Serbia ndërtoi fabrika dhe zinxhirë furnizimi; Shqipëria prodhoi prezantime dhe propagandë”, deklaron ajo.

Edhe në sektorin e teknologjisë, sipas Tabakut, përjashtimet tatimore nuk janë të mjaftueshme. Zhvillimi kërkon arsim cilësor, sundim të ligjit, financim, kërkim shkencor dhe një mjedis të ndershëm konkurrues, në mënyrë që të krijohen biznese të qëndrueshme dhe të tërhiqen investitorë seriozë.

Analiza e Tabakut vjen një ditë pasi ajo trajtoi rënien e eksporteve dhe pasojat e modelit aktual ekonomik mbi të ardhurat dhe xhepat e qytetarëve. Sipas saj, mirëqenia materiale e familjeve shqiptare mbetet ndër më të ulëtat në rajon, ndërsa rreth 40% e buxhetit familjar shpenzohet vetëm për ushqime dhe pije joalkoolike.

Për deputeten demokrate, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të modelit ekonomik: një ekonomi që prodhon dhe eksporton, me taksa më të ulëta e të parashikueshme, konkurrencë të lirë, meritokraci dhe mbështetje reale për sipërmarrjen.

“Integrimi europian nuk na e dhuron konkurrueshmërinë. Ajo fitohet çdo ditë. Dhe sot, fatkeqësisht, Shqipëria po e humbet këtë garë”, përfundon Tabaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›