Zjarr në Gramsh/ Zjarrfikësit ecin 1 orë në këmbë për të mbërritur te vatra

Një zjarr ka përfshirë rreth 3.5 hektarë sipërfaqe pyjore në fshatin Janç Mal, në Njësinë Administrative Tunjë, Gramsh.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 8 zjarrfikës dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor, por terreni i vështirë malor dhe mungesa e rrugëve e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen me automjete.
Për të mbërritur në zonën e përfshirë nga zjarri, ekipet janë detyruar të ecin rreth një orë në këmbë, duke transportuar pajisjet e nevojshme në shpinë.
Për shkak të pamundësisë për ndërhyrje direkte, ekipet po përdorin metodën e kundërzjarrit, duke krijuar një zjarr të kontrolluar për të djegur paraprakisht materialin e djegshëm dhe për të penguar avancimin e flakëve.
Forcat në terren vijojnë punën për izolimin e plotë të vatrës dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në sipërfaqe të tjera pyjore.