E Diel, 1 Nëntor 2026

Josip Kuzhe: E ndjeja se do të zgjidhesha unë“Që pas takimit të parë me drejtuesit shqiptarë pashë se lashë një përshtypje shumë të mirë. FSHF ka mendim të jashtëzakonshëm për Oto Bariçin. Në garë edhe kroati tjetër, Vlak

Bledar KUKA- Josip Kuzhe e kishte një bindje të fshehtë brenda vetvetes që pas takimit të parë me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) se do të ishte ai trajneri i ri i Shqipërisë. Këtë e rrëfen në një intervistë për gazetën kroate, “Jutarnji List”, së cilës i tregon edhe ndikimin vendimtar të Oto Bariçit.

Kroati shpjegon se pati një takim dyorësh me shqiptarët (normalisht me presidentin Armand Duka). “Besova që pas takimit të parë që prezantimi im dyorësh la përshtypje të mirë tek drejtuesit e federatës, - shprehet Kuzhe, - por më pas u shfaqën kandidatë të tjerë si dhe hynë në histori edhe njerëz të futbollit që nuk janë në atë lartësi që duhen (të ashtuquajtur menaxherë).

Në listën e 35 emrave ishte edhe një kroat që nuk është shfaqur në shtyp, por që gazeta “Korrieri” e ka përfshirë në një listë trajnerësh kroatë që mund të vëzhgoheshin për kombëtaren, listë botuar më 21 prill të këtij viti. Bëhet fjalë për Marijan Vlakun, trajnerin 54-vjeçar që aktualisht është pa detyrë, por që deri në fillim të marsit të këtij viti ishte në krye të Dinamos së Zagrebit.

Takimi i përmendur më sipër mes Dukës dhe Kuzhes ka ndodhur 3 javë para se presidenti i FSHF-së të bënte zgjedhjen, pra rreth datës 29 prill. Sërish në vendimin e Dukës ndikoi fjala e legjendarit Oto Bariç, që largoi si me magji jo vetëm konkurrentët e tjerë, por edhe dyshimet lidhur me të kaluarën e turbullt të Kuzhes jashtë futbollit.

“Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë mendim të jashtëzakonshëm për Bariçin, - u shpreh Kuzhe, - shumë herë më përsëritën se çfarë trajneri i shkëlqyer u tregua ai dhe sesa ndikim pati në zhvillimin e kombëtares shqiptare. Oto foli mirë për mua dhe këshillat e tij patën ndikim vendimtar”.

Gazeta kroate bën shaka me numrin e madh të kandidaturave për detyrën e lënë në mes nga Ari Hani. “Kjo maratonë bisedimesh u shenjua nga invazioni i kandidatëve, a thua se shqiptarët e kërkuan nëpërmjet portalit “mojposao” (puna ime – adresë kroate për kërkim pune).

Kuzhe thotë se parashikon që të punojë për 2.5 vjet në Tiranë, ndërsa pohon se njeh të paktën dy lojtarë shqiptarë me të cilët ka punuar, Erion Bogdanin dhe Ervin Skelën. Me Bogdanin punuan tek NK Zagrebi ndërsa me mesfushorin e sotëm të Kotbusit kur ky ishte te Kemniceri.

“Portugalia, Danimarka, Suedia kanë rëndësi”

“Viti i parë, - thotë Kuzhe, - është vit njohjeje dhe rrahje mendimesh. Skuadra nuk ka mundësi të shkojë në Botërorin e Afrikës së Jugut, por kjo nuk do të thotë se ndeshjet ndaj Danimarkës, Portugalisë dhe Suedisë nuk kanë rëndësi. Në fund të fundit, na intereson rezultati sportiv”.

Kuzhe sjell edhe trajnerin e Shpresave: Xhemal Mustedanagiç

-Duket se trajnerët kroatë do të marrin krejtësisht përgjegjësinë në futbollin shqiptar sepse keni propozuar si trajner të Shpresave Xhemal Mustedanagiçin, aktualisht skaut i Dinamos së Zagrebit.
“Besoj se do të jetë trajner i ekipit të Shpresave, por nëse kjo për arsye të ndryshme nuk bëhet, ai do të jetë ndihmësi im”.

-Thuhet se Federata Gjermane e Futbollit ndërhyri për të caktuar një trajner të sajin (ndoshta Lorantin apo Zidken).

“Trajnerët kroatë janë mes më të mirëve në botë, E di që kur kam qenë në Japoni. Problemi është se skena kroate është e vogël. Nuk kemi kaq shumë marketing, federata jonë nuk ka kaq fuqi sa disa federata të tjera evropiane apo botërore”.

-Pse kaq shumë emra trajnerësh kroatë në listën shqiptare?

“Shqiptarët këmbëngulën që trajneri të ishte nga këto anë. Kanë pasur edhe gjermanë e holandezë, por Oto Bariç ka lënë shenjë të thellë”.

-Një pyetje jo e këndshme. A prishi punë e kaluara juaj?

“Nuk dua të flas për jetën private. Askush nuk ka të drejtë të hyjë në të. Kam një familje të shkëlqyer, ku jetoj i lumtur, plot me dashuri. Shumëkush do të ishte me fat të kishte një familje të tillë. Gjithnjë kam mbështetje, familja është forca ime”.

-Kur shkoni në Shqipëri?

“Të premten (sot). Synimi ynë është i përcaktuar, eliminatoret e Euro 2012. Shqipëria është aktualisht “klasë e katërt” në eliminatoret evropiane, por ka shumë lojtarë të rinj interesantë, ka shumë ambicie ndaj edhe për mua kjo kombëtare është nxitje e madhe. Besoj se do të bëj punë të mirë”.
Përgatiti nga “Sportalica.net” Bledar Kuka

Bariç: Shqiptarët deshën Bllazheviçin, Kranjçarin

“Josip Kuzhe ishte veçse opsioni i tretë i shqiptarëve”. Kështu shprehet Oto Bariç për gazetën “Javno”. “Më pyetën për Çiron (Mirosllav Bllazheviçin), por u thashë se ai është me Bosnjë-Hercegovinën, pastaj më pyetën për Cicon (Zllatko Kranjçarin), i thashë se kishte shkuar në një klub sllovak, pastaj më pyetën për Kuzhen dhe i thashë se është njeriu i duhur”, - shpjegon Herr Oto.

“Ata (shqiptarët) janë kombëtare e rangut të tretë ose të katërt në Europë dhe në grup gjithnjë kanë dy ose tri kombëtare të forta, - vazhdon Oto Maksimale, - por kjo nuk e pengon federatën shqiptare që të synojë gjithnjë kualifikimin për në një turne të madh”. Më pas ai shton se “pikërisht kjo ishte arsyeja që ika sepse nuk mund t’u premtoja një sukses të tillë me një kombëtare që realisht nuk e ka atë cilësi që të ndodhet mes më të mirave”.

Xhemal Mustedanagiç: Synojmë Euro 2012-ën

Ai që ende nuk është bërë as ndihmës i Kuzhes dhe as trajner i Shqipërisë U21, pra Xhemal Mustedanagiç, jep deklarimet e para si “shqiptar”. Gazeta “Javno” e telefonon dhe ai hidhet menjëherë në sulm: “Këtë edicion nuk ka shanse, por në eliminatoret e Euro 2012-ës duhet të synojmë gjëra më të mëdha, historike”. “Mund të jem trajner i Shqipërisë U21, skaut ose ndihmës i Kuzhes siç kemi bërë tek Dinamo me Eduardon, Çorlukën, Modriçin e të tjerë”, - përfundon ai.

E Premte, 22 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›