E Diel, 1 Nëntor 2026

Zmijani: “Vllazni e dashur, ne fitonim duke luajtur bukur”Legjenda e Vllaznise, Hysen Zmijani : “Të paharrueshme duelet me Kolën, të shtunën jam tifoz kuqeblu”

Nëse dikush do të organizonte një sondazh për mbrojtësin e krahut të djathtë shqiptar, më të mirë të të gjitha kohërave ai do të ishte kandidati për t’u mundur. Diçka më shumë se 10 vjet pasi ka lënë futbollin, ai është një bisnezmen, një opinionist sportiv dhe sidomos një I dashuruar pandreqshmërisht me Vllazninë e tij. Hysen Zmijani, padyshim një legjendë kuqeblu e ka përherë të lehtë të flasë për skuadrën e tij të zemrës. Si në kohën kur futbollin e luante vetë ashtu edhe tani që e ndjek në shkallët e stadiumit. Sot, siç e pranon vetë, vuan pak më shumë. Mbi të gjitha sepse Vllaznia e tij, nuk është ajo skuadra me futbollin spektakolar që ka qenë gjithnjë dhe që pëlqejnë edhe tifozët.

Të shtunën Tirana-Vllaznia. Në kohën kur luanit vetë, kjo ishte ndeshja më e rëndësishme e një sezoni …?

Një nga më të rëndësishmet, varet nga sezoni. Kanë qenë të rëndësishmë në kampionat, por mbi të gjitha ka qenë përherë një sfidë shumë interesante për t’u luajtur por edhe për t’u parë. Në fushë ishin dy nga skuadrat më të mira, pikërisht si tani. Por Tirana, në ndryshim nga ne, gjatë kohës kur unë kam luajtur futboll ka fituar më shumë. Ishin skuadër më praktike.

Kishin edhe një grup me emra të mëdhenj. Ishte ky ndryshimi?

Jo, sepse kishim edhe ne futbollistë të jashtëzakonshëm, ishim një grup shumë I mirë. Kështu shkuan gjërat, fatkeqësisht për ne. mund të kishim fituar diçka më shumë. Fituam një kampionat në fillim të viteve 80-të dhe një Kupë në 87-ën. Kishte shumë konkurrencë atë kohë, shumë skuadra që luftonin për të fituar kampionatin dhe një futboll shumë cilësor. Dhe Vllaznia-Tirana ka qenë përherë një ndeshje shumë e bukur.

Cfarë ndryshimi në nivel loje kishte Tirana kundër Vllaznisë?

Tirana ishte një skuadër më konkrete se ne, por ne kishim një futboll më tërheqës. Luanim më bukur. Pikërisht siç ka qenë përherë tradita e këtyre dy skuadrave. Vllaznia pëlqehej shumë në atë kohë nga tifozët e saj dhe stadiumi ishte përherë plot.

Dueli juaj në këtë ndeshje ka qenë njëri nga më të famshmit, ju kundër Agustin Kolës. Cfarë kujtoni?

Ka qenë shumë e vështirë të mbaje Agustin Kolën. Një lojtar I shkëlqyer, fizikisht I papërmbajtshëm. Kam shumë nostalgji për atë duel, një nga më të vështirët për mua personalisht gjatë gjithë karrierës.

A shihni aktualisht ndonjë duel në futbollin shqiptar që të jetë sadopak i ngjashëm me atë tuajin kundër Kolës, për nga niveli?

Nuk më takon mua ta them këtë, por po të jem I sinqertë do të thoja që jo. Jo sepse futbolli aktual nuk e ka cilësinë e futbollit të asaj kohe, skuadrat nuk janë njësoj, nuk është I njëjti rivalitet. E them me keqardhje këtë por jo, nuk shof ndonjë duel të ngjashëm me atë Zmijani-Kola të viteve 80-të. Apo edhe ndonjë duel tjetër në fushë. Sepse kishte shumë lojtarë të shkëlqyer, ato vite.

A mbani kontakte me ish-futbollistë të Tiranës të asaj kohe dhe a jeni “ngacmuar” këto ditë me njëri-tjetrin, për finalen e kampionatit?

Kam miqësi me ish-lojtarë të Tiranës, kolegë të mi në vitet ‘80 apo ’90, por këto ditë jo nuk kemi biseduar për ndeshjen. Është normale që unë dëshiroj ta fitojë Vllaznia ime kampionatin dhe po kaq normale është që ata të duan të fitojë Tirana. Më ka rënë rasti shpesh të bisedoj me shokët e mi te Tirana apo te kombëtarja si Josa etj dhe jemi “ngacmuar” për ndonjë gol apo ndonjë ndeshje të asaj kohe. Janë kujtime të bukura.

Si e shpjegoni faktin që Vllaznia, pasi ishte shtatë pikë përpara në kampionat, tani I duhet të fitojë kundër Tiranës në ndeshjen e fundit, që të çojë në Shkodër, titullin? A është skuadra psikologjikisht e përgatitur për këtë trofe?

Janë luhatje që ndodhin në një kampionat. Çdo ekip ka oshilacionet e veta dhe Vllaznisë unë I njoh meritën që në këtë moment ndodhet ende në luftën për titull. Nuk ka qenë e lehtë, pasi edhe Tirana ka një grup të mirë lojtarësh. Pas një momenti të dobët më pas bardheblutë kanë qenë konstantë. Është e drejtë që këto dy skuadra do të luftojnë për të fituar kampionatin. Mund ta fitojë secila, Tirana ose Vllaznia.

Një gjykim për Vllazninë tuaj. Keni qenë shumë pranë saj këtë sezon, madje edhe me komente…

Këtu në Shkodër, tifozët duhet t’i fitosh me lojë. Është në ADN-në e këtij qyteti që skuadra e vet duhet të luajë bukur futboll. Ajo që nuk u pëlqen njerëzve, tifozëve por edhe mua personalisht është që ekipi nuk ka një manovër të rrjedhshme, të shkojë te porta kundërshtare me aksione të ndërtuara bukur, me veprime individuale që u japin kënaqësi spektatorëve. Është kjo mangësia më e madhe e kësaj skuadre. Për të tjerat mendoj se ka qenë një kampionat I mirë dhe unë besoj dhe shpresoj që Vllaznia do ta fitojë këtë kampionat. Mendoj se mundësitë për të fituar edhe në Tiranë, ekzistojnë.

Brurimi: Sport Ekspres

E Premte, 22 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›