Jozha i vogël Rama i madh!
Veç në gazetën turke Sabah ende mund të gjendet titull Mysafiri 2 metra. Këtë titull të Sabahut s’do ta zinte akshami, sikur Turqia të ishte Evropë.
Pra, ky titull, sikur të ishte Turqia Evropë do të bënte boom nëpër gjykatat evropiane, duke kërkuar nga gazeta ta dëmshpërblejë kryeministrin e ri të Shqipërisë për fyerje dhe qëndrim diskriminues ndaj tij.
Evropianët e dinë se gazeta turke nuk e ka pasur parasysh se heightism i thonë diskriminimit në bazë të gjatësisë trupore, pavarësisht a je i gjatë apo i shkurtër me trup.
Takimi i Edi Ramës me sulltanin në tentativë nuk ka qenë takim ku do të tirrnin për fashion-in, sportin, antropologjinë, ushtrinë etj, por ka qenë takim politik.
Disa profesione në biznes s’kanë çare pa e praktikuar diskriminim, si për shembull: ushtarakët, pastaj manekinët, sportistët profesionistë etj, që i zgjedhin të gjatë me trup.
Heightism (diskriminimi në baza të gjatësisë trupore), është preferencë edhe erotike, të gjithë preferojnë vajza e djem shtatlartë dhe patjetër të bukur (edhe në film, edhe në modë), ani pse të martuara dhe me fëmijë zakonisht janë femrat dhe meshkujt trupshkurtër.
Por, në media, heightism merr një formë tjetër. Praktikohet për të bërë humor me gjatësinë trupore të personazhit.
Zakonisht, kur mungon humori virtuoz, mediat e lodhura e vënë në pah gjatësinë trupore të individit për të cilin e kanë fjalën.
Kur ec krah për krah me atë që është më i gjatë se ti, ndjehesh inferior.
Kur ec me atë që është më i shkurtër se ti ndjehesh superior-dikushi.
Sabahu gabon që i han në sy trupshkurtrit. Se, ndër arsyet kryesore për gjenocidin e Ruandës (1994), ku u vranë 1 milion tutsi ishte se hutu (trupshkurtër) ndiheshin fizikisht inferiorë ndaj tutsëve (të gjatë).
Po, diktatorët e mëdhenj kanë qenë të shkurtër me trup: Bonaparti, Stalini, Xiaoping, Skenda, Hitleri, deri te Putini. Kur e pa Skender Hysenin, Sarkozi planifikoi që të bëhet operacion në Zvicër, për tu zgjatur 12 cm!!!
Në vend që të ndjehet si basketbollist i fyer turqisht, Edi Rama u ndje i entuziazmuar për gjatësinë e tij superiore, ndaj fotografinë e intervistës urgjent e publikoi në FB si foto të tij të ditës.
Entuziazmi i Edi Ramës për takimin e tij me Erdoganin, zbulon se i vetmi Edi Rama ende nuk është i sigurt që shqiptarët e kanë bërë kryeministër të Shqipërisë.
Mirë do të bënte, sikur kryeministri i ri i Shqipërisë të përmbahej nga emocionet dhe të jetë ky takim hera e fundit që e bën të duket i ngazëllyer, si një personazh seriali turk.

