Ju flet Berisha, shkatërrues i sindikalizmit dhe votës së lirë
Kryeministri Sali Berisha, në fuqi edhe për 35 ditë, i njohur si mbytës dhe shkatërrues i lëvizjes sindikale në Shqipëri gjatë gjithë kohës që ka qenë President e tani si kryeministër, mori pjesë në një aktivitet për të evokuar 22 vjetorin e Grevës së Përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë të zhvilluar në maj 1991, që rrëzoi qeverinë komuniste të dalë nga zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha i konsideroi ato zgjedhje të manipuluara. Por realiteti është që ato zgjedhje, së bashku me zgjedhjet e 22 marsit 1992, shënojnë deri më sot zgjedhjet më të lira e të ndershme. Në vitin 1991, Partia Demokratike arriti të fitojë pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha, por humbi në zonat rurale ku fryma e demokracisë smundi të vinte për vetëm 3 muaj qysh kur ishte shpallur pluralizmi politik.
Berisha u rikujtoi shqiptarëve sesi një bashkim sindikatash, të krijuara vetëm 11 ditë përpara zgjedhjeve të para pluraliste, detyruan qeverinë e kohës të japë dorëheqjen. Greva e urisë e minatorëve të Valiasit, ndonëse nuk mund të quhej një grevë e mirëfilltë urie, mjaftoi për ta ndërgjegjësuar qeverinë Nano, se nuk mund të vijonte më tej. Ndonëse ajo qeveri, e sapo dalë nga zgjedhje të rregullta, kishte gjithë ligjshmërinë të vijonte punën, u dorëhoq për tia lënë vendin qeverisë së Stabilitetit të drejtuar nga Ylli Bufi. Edhe kjo qeveri, meqenëse situata politike nuk ishte e qëndrueshme dhe Shqipëria e kërkonte me domosdoshmëri rrotacionin e plotë politik dhe ndarjen me të kaluarën komuniste, dha dorëheqjen për tia lënë vendit qeverisë teknike të Vilson Ahmetit e cila do e çonte Shqipërinë në zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit 1992, nga ku doli fituese opozita e drejtuar nga Partia Demokratike.
E bëra këtë historik për të treguar se sa defiçitare është Partia Demokratike dhe vet Sali Berisha në raport me Partinë e Punës përsa i përket organizimit të zgjedhjeve dhe lëshimit të pushtetit.
Sot, pas 22 vitesh, në prag të zgjedhjeve parlamentare, Shqipëria jo vetëm që nuk ka më lëvizje sindikale, por ende diskuton vjedhjen dhe manipulimin e votës. Sali Berisha, ai që ngre lart grevat që dikur rrëzuan qeveri të ligjshme, ai që erdhi në pushtet nga zgjedhje të ndershme, sot del në foltoren e sindikatave të shitura dhe akuzon opozitën. Pikërisht, atë opozitë të cilës ia tallte grevën e urisë të vitit 2009. Atë opozitë të cilës ia vodhi zgjedhjet e po atij viti dhe që i grabiti mandatin e Tiranës 2 vjet më vonë. Atë opozitë të cilën ka bërë çmos ta vërë nën kontrollin e vet, por sia ka dalë dot.
Këtu e 22 vjet më parë Shqipëria ziente. Një popull i tërë kërkonte ndryshim. Por fryma enveriste, e futur për 45 vjet në çdo qelizë, donte kohën e vet të pastrohej. E megjithatë, partia që la pas ish diktatori Hoxha, iu përshtat realitetit të kohës. Lejoi njerëzit ti dilnin kundër, të flisnin lirshëm, të merrnin pjesë nëpër sindikata e parti politike. Të protestonin dhe të kërkonin më shumë të drejta dhe liri ekonomike. Kushdo shkoi në kutitë e votimit pa pasur presionin se do e hiqnin nga puna dhe pa i ofruar ndonjë të mirë materiale (sot këto po ndodhin, hapur fare, ditën për diell dhe asnjë sindikatë sarrin të ngrejë zërin për ata mijëra punonjës të administratës që humbasin vendin e punës për shkak të bindjeve politike). E pra, Partia e Punës i kishte të gjitha mundësitë të bënte të kundërtën e asaj që bëri.
Keqardhja sot është se na duhet tia ngremë lart këto merita asaj partie që për 45 vjet shtypi me dhunë e brutalitet çdo shpirt dhe aspiratë lirie, duke e lënë këtë popull në mjerim. Dhe keqardhja më e madhe është se për këtë gjë, meritën kryesore e ka pikërisht ai, Sali Berisha, që sot e kësaj dite ua njeh meritën sindikatave, grevave apo që erdhi në pushtet me votën e lirë atëherë kur qe në opozitë. Por, sot, kur është vet në pushtet, kërkon ta mbajë dhe të abuzojë me atë, ashtu siç as Partia e Punës nuk guxoi ta bëjë pas vitin 1990. Sepse, Sali Berishës i ka mbetur ora përpara atij viti, atëherë kur fryma e Njësh-it i çonte shqiptarët përpara kutive të votimit për rezultatet 99 përqind, si plumb për armikun.
Ja përse 23 qershori është një moment historik. Një moment që do ta Rilindë këtë vend dhe do ta shkëpusë njëherë e përgjithmonë nga ajo trashëgimi që Sali Berisha me vendosmëri do që të mos e lëmë pas.
