Ju rrëfej Enver Hoxhën ashtu siç e kam njohur unë

Enver Hoxha, Muho Asllani dhe Ramiz Alia
Ish-anëtari i Byrosë, Muho Asllani, komenton librin e Fevziut
Muho Asllani: Nuk ka pasur sozi, natyra e tij nuk pranonte asnjëherë zëvendësues të tjerë
E pranon që Enver Hoxha ka qenë më i ashpër se çduhej gjatë regjimit komunist, por tashmë i duket tepër vonë për të kritikuar apo reaguar. Unë zhburrnohem po ta shaj tani, thotë Muho Asllani, ish-sekretari i PPSH-së në disa rrethe dhe ish-anëtari i Byrosë Politike në dy dekada. Për më tepër, ai vijon që ta ketë idhull Enver Hoxhën, prej të cilit mësoi se si të vishet, si të sillet, madje edhe se si të flasë pa dialekt etj. Si kopja e tij në dukje dhe në ideologji, Muho Asllani i vjen në mbrojtje Enver Hoxhës sa herë thuhet e shkruhet kundër tij. Ashtu si në këtë intervistë për gazetën Panorama
Ka pak ditë që është publikuar libri Enver Hoxha i Blendi Fevziut, e para biografi bazuar në dokumentet sekrete të arkivit personal dhe rrëfimet e atyre që e njohën. Si ju duket libri?
Për fat të keq ende nuk e kam lexuar. Deri tani kam lexuar disa shkrime që keni botuar në gazetën Panorama, fragmente të shkëputura nga libri, por më duket jofisnike që unë të komentoj diçka për të cilën nuk kam informacionin e plotë. Nuk jam unë personi i duhur për të gjykuar librin. Unë mund të flas vetëm për kohën që e kam njohur, ose për gjëra ku kam qenë prezent.
Atëherë le tu referohemi vetëm fragmenteve të botuara nga libri në gazetën Panorama, ku ndër të tjera tregohet për orientimet seksuale të Enver Hoxhës. Për aq sa e keni njohur, a ju ka rënë në vesh për prirjet homoseksuale të tij, siç kanë dëshmuar disa miq të rinisë?

Muho Asllani te varri i Enver Hoxhës për homazhe
As e besoj gjallë në botë. Edhe unë fjalën homoseksual e kam dëgjuar disa vite pas rrëzimit të sistemit komunist dhe nuk e besoja që ekzistonte një fenomen i tillë. Flas si për gay-t, ashtu dhe për lesbiket. Homoseksualizmi, droga, AIDS-i apo shumë zhvillime të tjera nuk kanë qenë asnjëherë objekt diskutimi, pasi ishin krejt të panjohura për ne. Madje, jam çuditur kur kam mësuar se hashashi ishte një lloj droge, pasi atë e përdornin gjyshet tona për të vënë në gjumë fëmijët.
Fakti që ju nuk e dinit për homoseksualizmin, nuk do të thotë që nuk ka ekzistuar. Ja për shembull si në rastin e hashashit
Personalisht nuk kam pasur kurrë informacion. Derisa nuk është përmendur dhe nga shokë të tjerë, do të thotë që ky lloj fenomeni ka qenë i panjohur. Ose, mbase krejt i izoluar.
Mbase rast i izoluar edhe te Enver Hoxha?
Sinqerisht, më vjen shumë çudi edhe kur e thoni, por më shumë që këmbëngulni. Më vjen turp kur e dëgjoj. Shoku Hoxha është një nga njerëzit më të ndershëm që kam njohur ndonjëherë. Ishte serioz me punën, por edhe me humor kur ishte rasti.
Domethënë bënte shaka Enver Hoxha, të tipit?
Shakatë e tij ishin të tipit çlirues. Të flasim drejt, të gjithë ne byroistët kishim emocione para tij dhe kur na pyeste për diçka, sikur ngecnim ndonjëherë. Por ai ishte si psikolog. E kuptonte dhe ndërronte për momentin bisedën. Pyeste për fëmijët, shëndetin, prindërit, pastaj ngadalë kalonte te puna e aty, me ndonjë shaka të vogël zakonisht për realizimin e planit, e kthente sërish bisedën te puna.
Po nëpër mbledhjet e Byrosë apo kafetë që pinit në grup, a hidhte ndonjë batutë?
Për aq sa më kujtohet, sa ishte gjallë shoku Enver dhe shoku Hysni Kapo, nuk bëheshin ndonjëherë batuta. Pas vdekjes së tyre, kur mbledhjet drejtoheshin nga shoku Ramiz, atëherë bëhej më shumë humor. Ndërsa shoku Enver të nxirrte përpara letrat me plot shënime dhe direkt merrej me punën. Ua thashë, batutat e tij ishin sa për të të hequr sikletin dhe emocionet, por asnjëherë që ta tejkalonte apo që të ishte vulgar.
Ndryshe nga çthoni ju, në librin biografik të Fevziut, Enver Hoxha ka thënë fjalë vulgare për Kadri Hazbiun apo për Beqir Ballukun, i ka sharë të dy nga familja
E dini që nuk e besoj dot këtë, edhe pse e kam lexuar te gazeta juaj? Nuk më ka rastisur kurrë personalisht që ai të tregohet vulgar me mua, por as kam dëgjuar ndonjëherë nga shokët e tjerë që ai të jetë i tillë. Është akuzuar për shumë gjëra, por kjo nuk qëndron aspak.
Edhe qëndron, është e filmuar madje
Atëherë janë montazhe. Unë e kam dëgjuar me orë të tëra dhe asnjëherë nuk i shkau goja diçka që i afrohet vulgaritetit, e jo më aq vulgare. Pas vdekjes së tij është abuzuar shpesh me jetën dhe veprën e tij.
Edhe libri i Fevziut, abuzim ju duket?
Aaaaa, jua thashë që nga fillimi që nuk e kam lexuar dot. Nuk mund të jap opinion për librin e Fevziut pa e ditur se çfarë shkruhet nga fillimi deri në fund. Do të ishte abuzim i madh ta gjykoj, apo më saktë, ta paragjykoj. Pasi ta lexoj, jam i gatshëm të shprehem.
Më shumë dukeni i gatshëm që ta mbroni Enver Hoxhën nga çdo lloj akuze që i bëhet…
Enver Hoxha ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë idhulli im.
Një idhull që, në mos gaboj, keni kopjuar edhe gjestet e tij?
(Qesh). Në fakt, kjo është e vërtetë. Ka diçka që duhet ta kuptoni. Unë, duke ardhur nga një familje e varfër, fshatare dhe shumë punëtore, u përpoqa që me hyrjen time në Byronë Politike të zgjidhja shprehjet dhe gjestet më të mira dhe të largohesha prej atyre që nuk më pëlqenin. Fillova ti vëzhgoj të gjithë dhe kopjova më të mirin, Enver Hoxhën. E shihja si vishej, si ua jepte dorën njerëzve, si përshëndeste me grusht, si e niste diskutimin, si ndërhynte etj.
Cila nga këto ishte pjesa më e vështirë që mësove nga ai?
Eliminimi i dialektit shkodran. E kisha shumë të theksuar dhe mu desh të punoja shumë me gjuhën, por ia arrita. Para shokëve të Byrosë Politike dhe para shokut Enver gjithnjë flisja me gjuhë letrare.
Mbase jo gjithnjë keni folur para shokut Enver, ka gjasa që të ketë qenë dhe ndonjë sozi e tij. Kështu shkruhet në librin e Fevziut
Po e marr të mirëqenë këtë që thoni, duke qenë se po ua përsëris pa fund që librin nuk e kam lexuar ende. Enver Hoxha nuk ka pasur ndonjëherë sozi, jam krejt i bindur. Duke njohur natyrën e tij, as ka pranuar që të ketë zëvendësues të tillë.
Pra, natyra e tij nuk i pranonte zëvendësuesit?
Për personin e tij konkret, jo.
Ishte po kjo natyrë që, edhe për pasardhësit e tij që priteshin ta zëvendësonin, shokët e tij të luftës, i eliminoi njëri pas tjetrit?
Vetë sistemi komunist ka qenë i bazuar mbi ligje, ashtu si çdo lloj sistemi politik në botë. Ndonjë sistem i ka ligjet më të ashpra, një tjetër më të buta. Dënimi me vdekje i shumë funksionarëve të PPSH-së nuk u bë as nga anëtarët e Byrosë Politike dhe as nga Enver Hoxha vetë. Ne kishim vetëm të drejtën e ti përjashtonim nga anëtarësia, pastaj merreshin organet kompetente të drejtësisë me ata. Si sot p.sh., Parlamenti heq imunitetit për një deputet