Ju rrëfej persekutorët e mi
Dy nga tri institucionet kryesore të vendit tonë “të ftohur” me njëra-tjetrën: Parlamenti dhe Presidenca. Presidenti Topi dhe kryeparlamentarja Topalli, të ndarë në mes nga një ish-i përndjekur politik, që në fakt duhet t’i bashkonte, as nuk i hodhën sytë njëri-tjetrit. Një çarje e madhe. Po, po. Një çarje e madhe dhe që emrin e ka “(mos) dënimi i krimeve të komunizmit”. Të dy janë në një mendje që krimet e komunizmit duhen të dënohen, por, siç duket, secili e sheh sipas mënyrës së vet. Natyrisht që gjithkush ka këndvështrimin e vet për këtë çështje. Edhe unë, një ish-i dënuar politik, e shoh sipas mënyrës sime që në ndryshim me dy politikanët është sa e thjeshtë, aq dhe e lehtë për t’u treguar, kuptuar e perceptuar. Për t’u bërë më konkret për opinionin publik, po mundohem të jap disa argumente të thjeshta dhe fakte të përjetuara personalisht, të cilat mund të vërtetohen edhe me dokumente.
Me ardhjen e demokracisë shpresuam se dhe ëndrrat tona për një Shqipëri demokratike dhe evropiane u realizuan dhe qëllimi i të gjithëve e së bashku me ta edhe i ish-të përndjekurve politikë, ishte që të ndërtonim një Shqipëri, ku vlerat e njeriut dhe të drejtat e tyre të arrinin parametrat e Evropës, ku ende pretendojmë të shkojmë. Por, gjithashtu, ish-të përndjekurit politikë kërkuan që krimet e diktaturës komuniste të dënoheshin dhe personat përgjegjës të ndëshkoheshin, sipas ligjeve në fuqi. 18 vjet më vonë jemi ende te kërkesa. Askund dhe askush nuk ka marrë mundimin për t’i dënuar këto krime. Politika ka manifestuar një mungesë të dukshme vullneti dhe kjo vërtetohet me faktin që në Shqipëri nuk ka asnjë dokument ligjor, vendim parlamenti apo dekret presidencial si bazë për dënimin e këtyre krimeve. Në fakt, ka pasur shumë retorikë kryesisht me qëllime elektorale. Por vetëm kaq. Flitet nëpër mitingje të ndryshme. Shahet komunizmi dhe krimet e tij, madje edhe nga Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Edvin Rama etj. Akuzojnë njëri-tjetrin për spiunë, kriminelë e hajdutë, por vetëm me fjalë, vetëm fjalë, ndërsa administrata, grupet parlamentare, strukturat drejtuese të partive të tyre janë mbushur me ish-sigurimsa, hetues, gjykatës, spiunë dhe dëshmitarë të proceseve gjyqësore politike. Jo vetëm kaq, por dhe administrata shtetërore që paguhet nga taksat tona është e mbushur me persekutorë, jo vetëm me ata të policisë së fshehtë, por me të njohur për aktivitetin e tyre kriminal gjatë regjimit diktatorial. Për 18 vjet ne nuk folëm, por shpresuam se një ditë drejtësia do të vepronte edhe mbi ta. Ata do të reflektonin dhe publikisht do të na kërkonin falje dhe mbas kësaj do të jepnin dorëheqjen për t’iu lëshuar vendet e zëna njerëzve të aftë, të cilët nuk ishin përlyer me mëkatet makabre. Por ata nuk e bënë. Vitin e kaluar, kur në parlament po votohej ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, partitë e majta në bllok nuk e votuan këtë ligj, ligj që iu hapte sadopak derën e integrimit dhe mirëqenies kësaj kategorie njerëzish të gjymtuar dhe përdhunuar padrejtësisht për 50 vjet. Arsyeja: Nuk mund të dëmshpërblejmë ata që ne i dënuam, i persekutuam dhe syrgjynosëm në kampet famëkeqe, sepse jemi fëmijët e baballarëve që i spiunuan dhe i burgosën këta armiq të pushtetit.
Si duhet t’i denoncojmë krimet dhe ata që bënë këto krime? Të gjithë ne, ish-të përndjekurit politikë, duhet të fillojmë të denoncojmë vetë me emra ish-persekutorët tanë, kjo për faktin se kanë kaluar 18 vjet dhe ata, pa iu hyrë gjemb në këmbë, vazhdojnë të merren dhe me politikë dhe të na japin akoma mend, dhe të na drejtojnë drejt demokracisë. Ndërsa shteti hesht. Atëherë, po e filloj unë i pari. Kam qenë i dënuar në burgun famëkeq të Spaçit me 8 vjet heqje lirie me vendim nr. 252 të gjykatës së Tiranës nga gjykatës Urim Bejleri.
Në TV dhe në gazeta shoh e lexoj për Adriana Civicin, alias Adriana Kovaçi, dëshmitarja kryesore e gjyqit kundër meje. Dhe Civici ose Kovaçi mban në partinë LSI një post të rëndësishëm dhe, larg qoftë, në një fitore të mundshme të LSI në zgjedhje, Civici do të marrë postin e ministres. E kuptoni apo jo? Postin e ministres apo çdo post të lartë shtetëror, një ish-dëshmitare e një gjyqi politik të bërë në vitin 1980! Mos t’ju duket çudi. Miq të mi më kanë treguar mbas kthimit tim nga Italia se Adriana Civici ka qenë dhe rektore e Fakultetit të Ekonomisë Agrare, fakultet ku ajo nisi aktivitetin e saj kriminal në nëntor të vitit 1980. Njerëzit mund të mendojnë se po tregohemi shumë të “ashpër” me disa gra, Civici dhe Diana Çuli (ekspertja e dënimit me pushkatim të poetëve Blloshmi e Leka) që arrijnë të bëjnë karrierë politike, por ato janë në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesëmarrëse në krime. Edhe unë mund të mos isha dakord me këtë “ashpërsi”, por kam pritur 28 vjet rresht që këto vajza të djeshme dhe gra e nëna sot, qoftë dhe formalisht, të më kërkojnë të falur. Sidomos Civici, për dëshmitë e rreme, të bëra kundrejt meje që më kushtuan 10 vjet burg e ndoshta mund të më kishin kushtuar edhe jetën si Vilsonit dhe Gencit. Dua të përqendrohemi tek Adriana Civici. Por ajo, me cinizmin dhe paturpësinë që karakterizon çdo spiun dhe ish-dëshmitar të kohës së komunizmit, as që e ka marrë mundimin për këtë, por ka guximin edhe të krekoset nëpër media. Atëherë? Le ta marrin vesh të gjithë se ka qenë dëshmitare në një gjyq politik dhe se ka gënjyer dhe shpifur kundër ish-it të saj për ta dënuar. Le ta marrin vesh të gjithë, madje edhe fëmijët e saj se ajo i ka hequr lirinë një djali 19-vjeçar.
Sa herë që dal nga shtëpia kryqëzohem me ish-hetuesin tim kriminel, Dhimitër Shkodrani. Si atëherë, me një biçikletë, shkon në zyrën e tij. Dhe e dini se çfarë pune bën? Avokat. Avokat, ky mostër që ka bërë të qajnë me lot qindra e qindra nëna dhe që me torturat që ka bërë në hetuesi, iu ka nxjerrë vërtet qumështin e nënave shumë djemve të rinj, vetëm për të kënaqur qejfet e tij sadiste.
Pasi ranë në qetësi për vite me radhë, ish-spiunët dhe dëshmitarët e gjyqeve politike, hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të regjimit të Hoxhës, pasi bënë karrierë politike me perversitetet e trurit të tyre, menduan se çdo gjë u harrua dhe – hopa - nxorën kokat për të vjellë vrer kundrejt nesh, kundrejt demokracisë, në emër të “parimeve” të demokracisë së tyre që është spiunimi e denoncimi i njerëzve të ndershëm. Sot, këta njerëz të ndyrë dhe të paturp, të integruar në politikë e në administratën shtetërore, nëpër gjykata dhe prokurori, po përgatiten të rimarrin sërish të gjithë pushtetin. Dhe imagjinojeni se ç’do të ndodhë sikur në krye të shtetit shqiptar të vihen personazhe të tillë të rrezikshëm.
Rastet e këtyre personave nuk janë raste të veçanta, por hallkat e një zinxhiri multikilometrik që quhet komunizëm. I denoncoj, sepse është jeta ime e jetuar. I denoncoj, sepse nuk dua që një ditë të dëgjoj që presidenti im ka dekoruar përdhunuesit e mi, siç ndodhi me rastin e kriminelit Breca për merita...! Cilat merita?! Sepse i dha plumbin e fundit në kokë bashkëvuajtësit tim, Xhelal Komprecka?! Por, sa e sa perversë të tjerë janë në qarkullim? Ata duhen denoncuar njëherë e përgjithmonë për t’i zhdukur nga qarkullimi në rrugën tonë drejt Evropës. Ata mund të mendojnë se bëmat e tyre gjakatare janë harruar. Por gabohen. Ne, ish-të përndjekurit politikë, nuk harrojmë. Nuk mund të harrojmë emrat e xhelatëve dhe ekzekutorëve tanë. Nuk mund harrojmë emrat e ish-spiunëve dhe dëshmitarëve tanë, edhe sikur ata të ndryshojnë mbiemrat e emrat e tyre. Nuk i harrojmë, sepse ata kanë të njëjtën fytyrë, të njëjtin mbiemër, të njëjtën prerje prej njerëzish të inkriminuar që gjallojnë në trupin e shoqërisë shqiptare, kundër shëndetit të saj.
*Ish-i burgosur politik