E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju tregoj Konicën në kryeqytetin amerikan, Uashington

11-04-2011 / Nga Flori Slatina

INTERVISTË ME Z. ILIR IKONOMI, AUTOR I LIBRIT “FAIK KONICA, JETA NË UASHINGTON”


Gazetari i mirënjohur i “Zërit të Amerikës”, z. Ilir Ikonomi, më 15 prill do të bëjë promovimin e librit të tij “Konica, jeta në Uashington”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”. Ky libër është një vështrim origjinal dhe mjaft interesant mbi jetën e një prej intelektualëve të shquar të Shekullit XX, Faik Konicës. Uashingtoni ka luajtur një rol të madh në aktivitetin e tij patriotik në dobi të Shqipërisë dhe pikërisht mbi këtë periudhë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së Konicës është ndalur z. Ikonomi, në librin e tij që do ët promovohet më 15 prill , në orën 18.00 në sallën “Balsha” në hotel “Tirana International”. Në prag të këtij promovimi është bërë edhe kjo intervistë me z. Ikonomi, për të sjellë për lexuesin e “55” disa fakte, ngjarje dhe të panjohura të cilat gjenden në faqet e këtij libri. Dhe ashtu siç thotë vetë Ikonomi “Unë nuk përpiqem t’i numëroj atij të mirat dhe të këqijat, as e mburr dhe as e shaj, por dua që lexuesi të nxjerrë vetë përfundime. Një ndër synimet e mija ka qenë që Faiku t’i jepet lexuesit nga syri i një gazetari”


1. Ç’të reja sjell libri juaj për historiografinë shqiptare e për autorët që janë marrë me Konicën?


Mendoj se ky libër i vë gjërat në kontekst. Ka një etje të madhe për të mësuar rreth Faik Konicës por ajo që është ofruar deri tani ka qenë një informacion i copëzuar: një artikull këtu, një ese aty, një kuriozitet këtu e një dokument aty. Këto pjesë nuk kanë qenë të lidhura mirë në një tërë, në një histori të vetme të Konicës si personalitet i shumë dijeve. Ky libër është një përpjekje për të na e dhënë Konicën në sfondin e kohës kur jetoi dhe për më tepër në kryeqytetin amerikan, Uashington, ku ai ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë për 13 vjet me radhë. Një ndër synimet e mija ka qenë që Faiku t’i jepet lexuesit nga syri i një gazetari. Unë nuk përpiqem t’i numuroj atij të mirat dhe të këqiat, as e mburr dhe as e shaj, por dua që lexuesi të nxjerrë vetë përfundime. Ju e dini se shpesh ndodh që historianët dhe biografët t’u thurin lavde disa figurave historike që ata i konsiderojnë “të mira” dhe nga ana tjetër t’i shpallin disa figura të tjera “të këqia” dhe t’i fusin shtatë pashë nën dhe. Mendoj se thurrja e paanshme e fakteve të thjeshta të jetës në kontekstin e duhur historik është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe besoj se kjo është një risi që përpiqet të sjellë ky libër.


2. Kujt i drejtohet ky libër? A është ky një libër për historianët?


Jo. Në procesin e shkrimit gjithnjë kam menduar se libri im duhet të ishte i lexueshëm nga të gjithë dhe jo vetëm nga historianët dhe konicologët. Prandaj kam zgjedhur një mënyrë të rrëfyeri që nuk e lodh lexuesin. Të japësh një histori plot data dhe ngjarje, kjo ndonjëherë bëhet joshëse për autorin që, me fjalë të mëdha, të huaja dhe të ngatërruara, përpiqet t’i tregojë lexuesit se sa di. Kjo më është dukur gjithnjë e neveritshme sepse libri nuk shkruhet për autorin prandaj unë ndoqa një rrugë tjetër. Në çdo paragraf, në çdo faqe që kam shkruar, kam pyetur veten nëse lexuesi do ta pranojë rrëfimin tim apo do ta lëshojë librin nga dora dhe do të hapë televizorin. Prandaj në libër dokumentacioni historik thyhet aty-këtu me episode interesante nga jeta e Faikut në Uashington. Jo thjesht me kuriozitete por me fakte të një natyre tjetër, më personale, të cilat janë vazhdim i rrëfimit të historisë por që e mbajnë lexuesin të përqendruar. Në të vërtetë, dëshira ime ka qenë që, duke lexuar këtë libër, njeriu të krijojë një përfytyrim të plotë dhe jo fragmentar për gjithë sfondin historik mbi të cilin pikturohen ngjarjet.


3. Për Faik Konicën janë shkruar disa libra. Çfarë të panjohurash sjell libri juaj për Konicën?


Do të përpiqem t’ju shuaj vetëm një pjesë të kureshtjes. Mendoj se është hera e parë që shkruhet me kaq imtësi për jetën e Faikut në Uashington. Pjesa më e madhe e dokumenteve që janë përdorur për të bërë këtë libër janë të panjohura. Këto fillojnë që nga hollësi të tilla më pak të rëndësishme si faturat e legatës shqiptare në Uashington, që më ndihmuan të krijoj një përfytyrim të saktë mbi buxhetin dhe rrjedhimisht mbi jetëm materiale të Faikut, e deri te komunikimet e tij me Departamentin e Shtetit, disa prej të cilave mjaft konfidenciale, siç janë ato që lidhen me Fan Nolin. Për shembull, gjatë një periudhe rreth dhjetëvjeçare, Faiku me Nolin, këto dy figura kryesore të komunitetit shqiptar të Amerikës, kanë zhvilluar një luftë të ashpër, e cila ka qenë lënë thuajse në hije, me qëllimin e mirë për të mos “prishur” imazhin e këtyre dy heronjve tanë. Eshtë folur më shumë për miqësinë mes tyre, duke filluar nga viti 1937 e deri në vdekjen e Faikut më 1942. Por ne nuk jemi fëmijë që të na fshihen gjërat. Lexuesi mund të befasohet kur të njihet me hollësi të reja të asaj që deri më sot është quajtur thjesht “polemikë mes Faikut dhe Nolit”. Dokumente të tjera që i kam zbuluar nëpër arkiva sqarojnë gjithashtu marrëdhëniet e Faikut me ambasadën e Italisë fashiste në Uashington dhe se si ai në thelb u përpoq të shfrytëzonte italianët për të bërë publike pikpamjet e tij se Epiri ka qenë gjithnjë shqiptar e se Çamëria e vise të tjera duhet t’i riktheheshin Shqipërisë. Dokumente të tjera që botohen gjithashtu për herë të parë sqarojnë pozitën e Faikut ndaj Mbretit Zog, të cilin e ai e mburrte në publik por vetëm në publik. Këto kanë qenë marrëdhënie tepër komplekse por për fat të keq, në të kaluarën, nga mosnjohja e fakteve, janë paraqitur në mënyrë të thjeshtëzuar dhe naïve.


4. Çfarë burime arkivore keni shfrytëzuar për të shkruar këtë libër?


Shumë burime. Arkivi Kombëtar amerikan në Merilend ka qenë për mua plot të papritura të këndshme. Një ditë, tamam kur ndehesha fare i lodhur duke gërmuar nëpër qindra dokumente për Shqipërinë, fati më ndihmoi të gjeja një dosje të tërë konfidenciale që lidhej me Faikun. Disa herë kam zbuluar dokumente që nuk më shkonte mendja se ekzistonin. Zbulova, për shembull, se Mbreti Zog i kishte ofruar Faikut ta bënte kryeministër në vitin 1928 kur ky vizitoi Shqipërinë. Më duhet të falenderoj Arkivin Kombëtar amerikan që e ruan historinë me aq skrupulozitet. Amerikanët investojnë shumë për arkivat dhe e kam për nder ta quaj veten një përfitues të këtij investimi. Ata kanë një ndërtesë ultramoderne dhe arkivi është mjaft transparent dhe demokratik, në kuptimin që çdo njeri trajtohet me të njëjtin seriozitet, pavarësisht nëse është historian, kongresmen apo amator. E mira e madhe është se ata të lejojnë t’i fotografosh dokumentet, një lehtësi e jashtëzakonshme kjo për raste si ky imi kur mu desh të kaloj nëpër duar mijra e mijra faqe. Fotografimi shpesh nënvlerësohet nga drejtuesit e arkivave por përfytyroni sa e pamundur do të kishte qenë e gjithë kjo duke përdorur skanimin apo fotokopjimin. Një tjetër burim ka qenë Biblioteka e Kongresit amerikan, biblioteka më e madhe publike në botë. Kjo bibliotekë më ndihmoi të lexoja gazetat e viteve 20 dhe 30 kur Faiku jetonte në Uashington, pa të cilat ky libër nuk do të kishte dalë në dritë. Në Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe në Arkivin Qendror Shtetëror zbulova mjaft dokumente që më ndihmuan të bëj lidhjen mes disa veprimeve të Faikut të cilat më parë nuk kisha qenë në gjendje t’i shpjegoja. Në Londër, ku gjithashtu bëra kërkime, bashkëpunova me Qendrën e Studimeve Shqiptare të drejtuar nga historiani i palodhur Bejtullah Destani. Kërkime bëra edhe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, ku At Arthur Liolin u tregua i pakursyer të më ndihmonte. Kam shfrytëzuar edhe arkiva më pak të rëndësishme por gjithsesi me vlerë në Nju Jork dhe Çikago. Libri përmban edhe 60-70 fotografi bardhë e zi me rezolucion të lartë që i kam nxjerrë po nga arkivat dhe që Shtëpia Botuese Onufri i trajtoi me talent dhe seriozitet si të ishin një kapitull i librit. Sigurisht, jo të gjitha janë fotografi të Faikut dhe për fat të keq të tilla nuk ka shumë sepse janë zhdukur nga koha. Disa nga fotot e librit kanë qenë botuar në gazetat e kohës por origjinali nuk është ribotuar më. Tani, lexuesi do të ketë mundësi ta rijetojë atë kohë edhe përmes koleksionit fotografik të këtij libri.


5. Cili është mesazhi që ju keni dashur të transmetoni për lexuesit?


Nuk kam dashur të transmetoj ndonjë mesazh. Thjesht kam bërë një rrëfim, kam shkuar aty ku më ka çuar kërkimi dhe hulumtimi, por nuk jam përpjekur “t’u jap mësime” lexuesve. Por ju keni një farë të drejte, sepse kur i rikthehem asaj që kam shkruar vetë dhe bëj krahasime me kohën tonë, pa dashje dalloj aty-këty ato që ju i quani mesazhe. Disa mentalitete shqiptare nuk kanë ndryshuar shumë nga ajo kohë. Për shembull, luftrat politike në Shqipëri mbeten po aq të egra sa edhe atëhere, pavarësisht se sot politikanët vishen dhe hanë më mirë, qarkullojnë me makina të shtrenjta dhe format e luftës kanë ndryshuar. Ka qenë një kohë kur këto luftra për pushtet e çuan Shqipërinë disa herë pranë kolapsit të plotë, pranë zhdukjes. Sigurisht, sot Shqipëria nuk është më pranë zhdukjes. Faiku, i cili ishte njëri ndër të parët që pat luftuar qysh herët me penë për të ndërgjegjësuar shqiptarët se ata ishin një komb dhe mund të bëheshin shtet, dëshpërohej pa fund nga politikanët sherrxhinj dhe nga hilet e tyre. A është ky një mesazh? Ndoshta. Faiku ishte xheloz i madh. E kam fjalën xheloz për Shqipërinë, e cila mezi kishte dalë në dritë, mezi ishte bërë. Ai i vëzhgonte politikanët me kujdes nga Amerika e largët dhe ishte i rreptë me ata që nuk e kishin për gjë ta poshtëronin këtë Zonjë për një grusht para, përdorte gazetën Dielli për t’u nxjerrë të palarat. A është ky një mesazh për korrupsionin e sotëm? Ndoshta. Dhe së fundi, Faiku ishte erudit, ai kishte njohuri për çdo gjë, që nga piktura, muzika, gatimi dhe flokët e grave e deri te historia, letërsia  dhe antropologjia. Diplomatët në Uashington i habiste dija e tij e pafund. Stili i tij i të shkruarit anglisht ishte aq i përsosur saqë kjo përmendej si kërshëri në gazetat më të mëdha të Amerikës. Një miku im në Uashington ngulte këmbë se të gjitha ato që thuheshin për erudicionin e Faikut ishin ekzagjerime, thjesht dëshira jonë për t’i paraqitur shqiptarët më të zot se sa janë. Kur i tregova se çfarë shkruante Washington Posti dhe gazeta të tjera për Faikun, ai u habit. A është ky një mesazh se si duhet përfaqësuar Shqipëria në botë? Ndoshta.


6. A e ka zënë vendin e vet Konica dhe sa i vlerësuar ka qenë në të gjitha kohët?


Në vitet 20 dhe 30, mjafton të thoshe Faiku dhe dihej se po flisje për Faik Konicën. Reputacioni i tij mes shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë ishte i padiskutueshëm. Atdhetarizmi i tij ishte legjendar. Shkrimet e tij në gazetë mezi priteshin. Gjuha e tij ishte model për shkrimtarin e ri dhe të vjetër. Ai rrinte larg nga politika e ditës dhe bluante në kokë skemat e mëdha që kishin të bënin me kombin dhe me ekzistencën shqiptare në një botë plot ngatërresa. Pastaj erdhi heshtja e madhe. Për gati një gjysmë shekulli shqiptarëve iu kërkua që ta harrojnë njeriun e tyre, Faikun. Por sot ai po rikthehet. Jo se ne kemi nevojë për heronj por sepse kemi të bëjmë me një proces të natyrshëm ku populli, në mënyrë të pavetëdijshme, u kthen nderin atyre që e nderuan. Këtë po bëjmë sot edhe ne shqiptarët, po vemë në vend nderin e një njeriu që u përpoq me gjithë zemër të bënte shtet dhe më pas të luftonte për qëndrueshmërinë e këtij shteti. Pyetet shpesh se përse regjimi i Enver Hoxhës nuk e deshi Faik Konicën. Regjimi i Hoxhës u vendos në vitin 1944 ndërkohë që Faiku kishte vdekur më 1942. Po të kishte qenë gjallë, mund të përfytyrohet lehtë se ç’do t’i kishte bërë Faiku atij regjimi, kusur nuk do t’i kishte lënë. Sepse Faiku ishte një mendimtar i skemave të mëdha. Të thuash që ai ishte armik i bolshevizmit është pak. Faiku ishte mbi të gjitha properëndimor, ai vëzhgonte me kujdes se nga po shkonte Shqipëria. Jam i bindur se pas këtij libri do të botohen edhe të tjerë që do të zbulojnë anë të panjohura të Faikut. Duke patur parasysh përmasat e dijes së tij dhe miqësitë që ai kishte me njerëz të shquar, me siguri që ekzistojnë qindra e qindra dokumente të tjera për Faikun ose të Faikut të strukura në arkivat e huaja ose në koleksione private që presin të shohin dritën e Diellit. Unë di disa njerëz që kanë dokumente të tilla. Imagjinoni sa gëzim do të jetë kur më në fund t’i shohim këto dokumente të cilat unë i kërkova por pa sukses. Në libër kam përfshirë një fotografi të rrallë të Faikut, të rrethuar nga biblioteka e tij. Ç’gëzim do të jetë për ne shqiptarët kur të zbulohet koleksioni i famshëm i këtyre librave, i cili fle në 30 arkat ku u fut atë natë dhjetori të vitit 1942. Mendoni, ne ende nuk kemi një biografi të plotë të këtij njeriu të rëndësishëm, pra vetëm sa kemi gërvishur sipërfaqen.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›