E Shtunë, 31 Tetor 2026

Julia Roberts: Kur jeta të fal gjithçka

Është e vështirë ta imagjinosh aktoren Julia Roberts në një rol negativ. Protagoniste në shumë filma romantikë dhe komedi si “Pretty Woman" e "Notting Hill", Roberts kësaj here do të jetë mbretëresha e keqe, njerka e Borëbardhës në filmin për fëmijë “Borëbardha”

Do të jetë njerka e keqe në versionin e ri të “Borëbardhës”. Befasuese, sepse do të nxjerrë një personalitet “skizofrenik” dhe do të përpiqet të “ulë” princin e kaltër në gjunjë përpara saj. Pasqyrë, moj pasqyrë, kush është më e bukura në botë? Kush e di nëse Julia Roberts e ka pyetur kështu pasqyrën e shtëpisë së saj...

“Unë?”, përgjigjet me habi, duke zgurdulluar sytë e mëdhenj gështenjë. “Kurrë. Përveç buzëqeshjes, tek e cila jam bazuar që nga fillimi i karrierës sime, kur producentët më thoshin se ishte një armë shumë e fortë tek e cila mund të bazohesha, nuk e kam konsideruar veten kurrë ndonjë bukuroshe kushedi se çfarë. Që adoleshente isha si një gjirafë e gjatë me këmbë tmerrësisht të gjata dhe me aparat në dhëmbë. Megjithatë sot ndihem mirë me pamjen time të jashtme dhe për më tepër ndihem e sigurt. Por kurrë nuk kam qenë mendjemadhe”.

Tani, në fakt, do ta shohim në rolin e mbretëreshës ziliqare, dhe shtrigës së keqe, në versionin film aksion, subjekti i së cilës është marrë nga përralla e vëllezërve Grim.

“Do të jem e padurueshme, e keqe dhe histerike. Edhe pse skenari parashikon që unë dua të bëj princin për vete, duke sfiduar Borëbardhën”, shpjegon aktorja, që në film do të ketë përkrah edhe bukuroshen Lily Collins, vajza e rockstar-it Phil Collins që do të interpretojë Borëbardhën. Nënë e tre fëmijëve (burri është kameramani i saj Daniel Moder), Roberts jeton në shtëpinë e saj madhështore në Los Anxhelos.

“Ndonjëherë me fëmijët largohemi për të ndryshuar ritmin, ajrin, qytetin, në fermën tonë në Nju Meksiko”, thotë ajo. Në fakt, kjo puna e “Borëbardhës” duket sikur po bëhet e bezdisshme. Në Hollywood po flitet edhe për një version të ri me Charlize Theron në rolin e mbretëreshës së keqe. Por ndoshta kjo mund të ndodhë për faktin se përrallat pëlqehen shumë. “Duket se është pikërisht ky momenti i madh i vëllezërve Grim. Por në çdo rast, nga “Beastly” te “Shrek”, apo “Liza në botën e çudirave” të Tim Burton, të gjitha rileximet kinematografike të përrallave janë një rast i mirë për të reflektuar mbi veten tonë, përmes personazheve të ndryshme.

Edhe Borëbardha në këtë film do të jetë një vajzë jo e zakonshme. Arratiset nga kështjella dhe lidh miqësi me shtatë xhuxhët, që nuk janë minatorë të pafajshëm, por hajdutë. Prej tyre mëson shumë hile dhe princi Alcott duhet të bëjë llogaritë me këtë. Me pak fjalë një Borëbardhë shumë ndryshe”. Julia tregon se mbretëresha e keqe që ajo do të interpretojë do të ketë një personalitet të dyfishtë thuajse skizofrenik.

Por pikërisht ky element e bëri të pranojë skenarin. Mbretëresha është në fakt një grua në të cilën mbizotëron pasiguria dhe ashtu si të gjitha gratë, frikësohet për imazhin dhe kohën që kalon. Ajo vetë e pranon se ashtu si njerka në film ka kaluar momente ku e ka ndier veten jashtë realitetit në këtë botë. “Në rini, pas suksesit të ‘Pretty Woman’, e pranoj se kam pasur momente skizofrenike dhe se jam ndier paksa si mbretëresha e Borëbardhës. Nga njëra anë isha e sigurt se publiku më pëlqente shumë, nga ana tjetër ndihesha shumë e pasigurt. Tani kam arritur ekuilibrin. Dhe nuk do ta ëndërroja kurrë rivalitetin me një vajzë më të re në moshë si Lily Collins.

Madje është argëtues fakti që tani ndihem e rritur. Kështu mund të luaj njerkën e keqe”, tregon 44-vjeçarja. Kur ishte e vogël ajo tregon se e lexonte shumë shpesh “Borëbardhën”. “Sigurisht që jam rritur duke ëndërruar se do të isha si një nga ato princeshat që lexoja në libër. Pas saj vinte Hirushja. Ishin përrallat e mia të preferuara, që prindërit e mi më lexonin çdo natë para se të më vinin në shtrat për të fjetur. Tani jam unë ajo që u tregoj përralla fëmijëve të mi, si çdo nënë. Më pëlqen shumë kur i shoh se kjo gjë i gëzon pa masë”. Ndryshe nga Borëbardha ajo thotë se nuk beson te princi i kaltër, por beson shumë te bashkëshorti i saj, Daniel.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›